Gradat, PAMECA: Ndryshime në Polici

Aug 22, 2011 | 10:45

Mospërputhja e gradave me funksionet që mbajnë pritet të bëhet shkak për lëvizje të konsiderueshme në Policinë e Shtetit.Dhjetëra sektorë e seksione në disa drejtori qarqesh dhe komisariate është konstatuar se drejtohen nga oficerë policie që kanë gradë më të ulët sesa funksioni që duhet të mbajnë. Kjo bie ndesh me përcaktimin që është bërë në ligjin “Për Policinë e Shtetit”, ndërsa mospërputhja e gradës me funksionin është konstatuar gjatë një inspektimi që misioni PAMECA ka kryer në drejtoritë dhe komisariatet e policisë. Sipas monitorimit, ka rezultuar që oficerë policie që kanë gradën e duhur për të drejtuar këto funksione, mbajnë një detyrë që mund të kryhet edhe nga një oficer me gradë më të ulët. Sipas specialistëve të misionit që asiston policinë shqiptare, PAMECA, specialistë që kanë dhënë idetë e tyre edhe në ligjin e ri të policisë, kjo është një shkelje flagrante e ligjit dhe duhet të kryhen lëvizjet e duhura. Për këtë arsye, drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Hysni Burgaj, me anë të një letër-porosie, ka kërkuar një verifikim të dytë dhe të hollësishëm, në mënyrë që çdo drejtori, komisariat, sektor apo seksion, të drejtohet nga oficerë që kanë gradën përkatëse, ashtu siç parashikohet në organikën e policisë. Sipas ligjit të policisë, drejtuesit e nivelit të parë drejtues duhet të kenë gradën “nënkomisar” për të qenë shef i Zyrës, Komisar për shef seksioni dhe kryekomisar për shef sektori. Këto janë rastet ku janë konstatuar shkeljet më të shumta gjatë inspektimit të PAMECA-s. Sipas burimeve nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, janë konstatuar raste flagrante që një sektor në drejtori qarku drejtohet nga një oficer me gradën “komisar”, kur në fakt duhet të ishte me gradën “kryekomisar”. Të njëjtat shkelje janë konstatuar edhe në disa komisariate, ku janë zbuluar mospërputhje të gradës me detyrën, kryesisht në rastet e shefit të Hetimit të Krimit dhe të Rendit. Por mësohet se janë zbuluar edhe disa raste, të nivelit të mesëm drejtues, që ndryshe nga sa parashikon ligji, zëvendësdrejtori i Policisë së qarkut ka rezultuar të ketë gradën “kryekomisar”, kur në fakt duhet të ketë gradën “drejtues”. Për këtë arsye, PAMECA i ka nisur një rekomandim Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë dhe reagimi ka qenë i menjëhershëm me letër-porosinë e Burgajt. Pritet që në muajin shtator të nisin edhe ndryshimet në drejtoritë e qarkut dhe komisariate policie, për të emëruar oficerët me gradën e duhur, në funksionet ku ndodhen të emëruar oficerë më gradë më të ulët.

Gradat

Sipas ligjit për Policinë e Shtetit, sistemi i gradave përcakton hierarkinë, nivelet e administrimit, si dhe pasqyron marrëdhëniet ndërmjet funksioneve në Polici. “Sistemi i gradave sipas këtij ligji, paraqitja, forma, emërtimet dhe mbajtja e tyre janë e drejtë vetëm e Policisë. “Nivelet pasqyrojnë nivelin e organizimit, drejtimit, kontrollit dhe kryerjes së detyrave në Polici, si dhe tregojnë pozitën e punonjësve të Policisë në strukturën e administratës së saj”, thuhet në ligjin e Policisë, sipas të cilit gradat shprehin pozitën që ka punonjësi në strukturën hierarkike të Policisë.

Hierarkia

Neni 37 i Ligjit për Policinë e Shtetit përcakton hierarkinë e niveleve dhe gradave. Sipas pikës së parë, hierarkia midis punonjësve të Policisë në nivele përcaktohet sipas kësaj renditjeje: Drejtor i përgjithshëm, drejtues, komisar, inspektor. Në ligj thuhet se brenda të njëjtit nivel hierarkia e punonjësve të Policisë përcaktohet nga grada. Hierarkia e punonjësve të Policisë me të njëjtën gradë përcaktohet nga funksioni, ndërsa për funksione të njëjta hierarkia përcaktohet nga vjetërsia në gradë.

 

ETLEVA DELIA

© Panorama.al

Te lidhura