Grabitjet, kontrolle në argjendari

Aug 21, 2012 | 14:49

Shumica e grabitësve që u shkulin femrave nga qafa varëset e floririt, i shesin këto bizhuteri të vjedhura nëpër argjendari dhe subjekte përpunimi që blejnë flori të përdorur.

Këtë fakt e kanë pohuar dje gjatë marrjes në pyetje tre të rinj që u arrestuan së fundmi nga Policia e Tiranës, pasi akuzohen se kanë kryer dhjetëra raste vjedhjesh me dhunë në rrugë, që nga fillimi i vitit e deri në muajin gusht. Nisur nga këto të dhëna të marra nga tre të arrestuarit, por edhe dyshimet e ngritura prej kohësh nga oficerët e Policisë që hetonin ngjarjet rast pas rasti, nga Policia është ngritur një Task- Forcë për verifikimin e të gjitha dyqaneve ku tregtohen bizhuteri floriri. Burime zyrtare të Policisë së Shtetit thanë dje: “Në të gjithë vendin strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë Tatimore, në kuadër të një plani të përbashkët, kanë ndërmarrë një sërë masash, me qëllim parandalimin dhe zbulimin e ngjarjeve të rënda të vjedhjeve me dhunë, goditjen e aktivitetit të paligjshëm në fushën e tregtimit, transportimit dhe ruajtjes e depozitimit të artikujve të floririt, si dhe sekuestrimin e mallrave kontrabandë e ushtrimin e ndjekjes penale ndaj të gjithë atyre që ushtrojnë aktivitet të paligjshëm të tregtimit të floririt”. Sipas Policisë, në kuadër të ngritjes së Task-Forcës janë kryer një sërë kontrollesh në njësitë e tregtimit të artikujve të floririt. Këto kontrolle do të vijojnë me intensitet, duke sekuestruar të gjithë sasinë e artikujve të floririt që nuk shoqërohet me dokumentacionin përkatës tatimor, në mënyrë që të seleksionohen bizhuteritë e dyshimta, që mund të jenë objekte të vjedhura dhe më pas të shitura, edhe me çmime fare të lira, nga grabitësit e grave në rrugë. Në rast se konstatohen shkelje të tilla nëpër argjendari, kontrolli i të cilave ka nisur që prej ditës së djeshme, atëherë në ngarkim të tregtarëve dhe pronarëve të këtyre dyqaneve do të nisin procedimet penale për tregtim, kontrabandim dhe depozitim të sendeve të floririt. Verifikime do të kryhen edhe për tregtarët ambulantë, të cilët edhe pse në mënyrë të paligjshme, blejnë dhe shesin bizhuteri floriri në rrugë.

ETLEVA DELIA

© Panorama.al

Te lidhura