
Grabitje me maska në rrugën nacionale Milot-Burrel. Dy persona të armatosur dhe të maskuar i kanë dalë para një mjeti, në afërsi të fshatit Bushkash, në një kthesë të ngushtë dhe malore. Viktima të grabitjes janë bërë katër udhëtarë nga Fieri, të cilët udhëtonin me mjetin e tyre tip “Audi” me targa AA 649 drejt qytetit të Peshkopisë, ku kishin miq të tyre. Ka qenë ora 23:50 e ditës së diel kur katër udhëtarët kanë mbërritur në Komisariatin e Burrelit dhe kanë bërë denoncimin për ngjarjen e ndodhur. Ata janë shprehur se dy persona të armatosur u kanë zënë rrugën dhe u kanë grabitur celularët, varëset e floririt dhe lekët që kishin me vete. Nga të dhënat e para është mësuar se udhëtarëve u janë grabitur dy celularë, 20 mijë lekë dhe varëset e grave që ndodheshin në makinë. Menjëherë drejt fshatit Bushkash janë nisur të gjitha forcat e Komisariatit të Burrelit, drejtori i Policisë së Qarkut dhe zyrtarët e Policisë së Matit. Të paktën 50 efektiva policie kanë nisur kontrollet në të gjithë fshatin Bushkash, duke hetuar fillimisht kontingjentet e krimit, të cilat në këtë zonë kanë qenë të vazhdueshme, sidomos gjatë vitit 1997, kohë kur për të grabitur dilnin edhe vajza e gra të armatosura. Burime pranë Komisariatit të Burrelit thanë se deri në orën 09:00 janë shoqëruar në polici të paktën 20 banorë, disa prej të cilëve besohet të kenë dijeni për grabitjen e bujshme. Burime të rezervuara informacioni shprehen se në vendin e ngjarjes janë gjetur bishta cigaresh, plastmasë dhe materiale të tjera kompromentuese. Zyrtarë të Policisë së Burrelit e tregojnë paksa ndryshe ngjarjen, madje pretendojnë se dy personat e maskuar nuk kanë pasur armë me vete dhe se u kanë thënë udhëtarëve se janë në hall dhe se kërkojnë vetëm celularët që mbanin me vete. Ndërkohë burime zyrtare pranë Drejtorisë së Policisë Qarkut Dibër saktësuan: “Mbrëmë është regjistruar një vjedhje me armë në rrugën Burrel-Bushkash. Dy persona të armatosur, me maska kanë ndaluar një makinë tip ‘Audi’, me targë AA 649 dhe kanë vjedhur 4 shtetas që ishin në të”. Besohet se personat e shoqëruar në polici do të japin informacione të dobishme në lidhje me këtë grabitje thonë burimet e grupit hetimor për ngjarjen e ndodhur në një prej rrugëve të rëndësishme nacionale që lidh vendin me qytetet në lindje dhe me Maqedoninë.
BURREL/ HASAN PASHA











