Grabitje me armë në Kamzë

Jul 25, 2011 | 10:59

Pesë adoleshentë të armatosur dhe të maskuar sulmuan dy vëllezër në Kamzë dhe, pasi i rrahën duke iu shkaktuar plagë, u morën paratë dhe objektet
me vlerë që mbanin me vete.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së premtes në një rrugicë të errët në Kamzë të Tiranës, e njohur me emrin rruga e OSBE-së. Grabitja ka ndodhur në kohën kur vëllezërit Rinor e Roland Ponari, 21 dhe 19 vjeç, po ktheheshin në banesën e tyre. Policia tha se vëllezërit janë sulmuar sapo kanë hyrë në
një zonë të pandriçuar dhe ishin duke lëvizur në këmbë. Në këtë kohë, vëllezërit nga Tropoja dhe banues në rrugën “Miqësia” në Kamzë, u përballën
me disa persona të maskuar që u kishin zënë pritë. Sipas kallëzimit që ata
kanë bërë në Komisariatin Nr.5, autorët e sulmit ishin të armatosur me pistoleta dhe me maska në kokë. Nën kërcënimin e armëve ata u kanë kërkuar që të boshatisin xhepat dhe t’u dorëzonin gjithçka që kishin me vete, para, celularë dhe gjëra të tjera me vlerë. Fillimisht, vëllezërit kanë bërë rezistencë, por në këtë moment ata janë sulmuar nga grabitësit, të cilët i kanë
qëlluar me tytat e armëve dhe me sende të tjera të forta, duke iu shkaktuar plagë në pjesë të ndryshme të trupit. Më pas, autorët i kanë plaçkitur të dëmtuarit duke u marrë të gjitha paratë që kishin me vete. Sipas kallëzimit të vëllezërve Ponari, autorët e ngjarjes u kanë vjedhur 50 mijë lekë të vjetra,
3 celularë dhe një kartë bankomati të “Tirana Bank”. Më pas, i kanë lënë të shtrirë dhe të gjakosur në rrugë dhe janë larguar me një makinë. Menjëherë pas kallëzimit, oficerët e Krimeve të Rënda dhe forcat e Komisariatit
Nr.5 kanë nisur hetimet për identifikimin e autorëve. Sipas burimeve zyrtare nga Policia e Tiranës, si rezultat i vënies në përdorim të metodave speciale të hetimit është bërë i mundur identifikimi dhe arrestimi i 2 prej autorëve
të ngjarjes. Të arrestuarit janë dy 17-vjeçarë, me iniciale B.M. dhe E.C., të dy banues në Kamzë të Tiranës. Ndërsa janë shpallur në kërkim edhe 3
bashkëpunëtorët e tyre, Juliano Sulejmanasi, 18 vjeç, si dhe E.M., 16 vjeç e M.Z. 17 vjeç, po ashtu banues në Kamzë.   ETLEVA DELIA

© Panorama.al

Te lidhura