
ELBASAN/ Dy djemtë zbulojnë bashkëpunëtoren: Futi në kurth të huajin.
Zbardhet e plotë grabitja e shtetasit turk në qytetin e Elbasanit. Policia e Elbasanit ka arrestuar një 26-vjeçare si autoren e tretë të ngjarjes së ndodhur tri ditë më parë në një lagje të qytetit. Sipas burimeve zyrtare të Policisë bëhet e ditur se është arrestuar edhe 26-vjeçarja Vjonilda Bakalli, me banim në qytetin e Elbasanit, pasi në bashkëpunim me dy shtetas të tjerë, akuzohen se janë autorë të vjedhjes me armë të banesës së turkut. Ngjarja ndodhi tri ditë më parë, ku sipas Policisë, Vjonilda Bakalli, së bashku me Erlind Gegën, 19 vjeç, me banim në Fier, janë ngjitur në katin e tretë ku banonte shtetasit turk, S. Erbir dhe i kanë rënë derës. Ky i fundit, përgjumësh, teksa ka parë 19-vjeçarin të shoqëruar edhe me një vajzë, ka hapur derën. Në këtë moment, Gega i ka drejtuar armën 38-vjeçarit turk, i cili punon në “Kurum” në Elbasan, dhe nën kërcënimin e armës i ka kërkuar të nxjerrë lekët. Më pas 26-vjeçarja ka nisur të kontrollojë e vetme banesën, kur më pas, të dy së bashku e kanë mbyllur shtetasin turk në banjë dhe pasi kanë marrë nga banesa e tij një sasi parash, laptopin, dokumentet turke, si edhe disa sende të tjera, janë larguar nga banesa. Dy ditë pas denoncimit të bërë nga shtetasi turk, policia arrestoi 19-vjeçarin dhe bashkëpunëtorin e tij, shtetasin Ergest Duka, i cili ruante poshtë pallatit, për të ruajtur lëvizjet në pallat. Mbas marrjes në pyetje dy djemtë kanë treguar edhe bashkëpunëtoren e tyre të tretë, 26-vjeçaren nga Elbasani. Grupi hetimor që ka marrë në pyetje vajzën, si dhe nëndrejtori i Policisë, Rezar Velmishi, thonë se kjo e fundit ka pranuar se ka qenë e pranishme në grabitjen me armë të shtetasit turk, ndërsa nuk ka dhënë detaje se çfarë e shtyu të kryejë këtë akt. Mësohet se 26-vjeçarja është qytetare pa precedent penal në Elbasan dhe asnjëherë nuk ka kryer akte të tilla të papërgjegjshme si rasti i sipërpërmendur. Ajo është arrestuar mëngjesin e djeshëm dhe mësohet se pasi të qëndrojë 72 orë në dhomat e paraburgimit të Komisariatit të Elbasanit, do të transferohet në burgun e grave në Tiranë, pasi ndaj saj rëndon akuza “vjedhje me armë e kryer në bashkëpunim”.
ELBASAN/ MIRANDA SADIKU
© Panorama.al











