Tre nga katër dhunuesit dhe grabitësit e turistëve çekë janë dorëzuar dje paradite në Policinë e Dibrës. Ata do të ndiqen në gjendje të lirë, për shkak të moshës së mitur, ndërkohë që autori kryesor i ngjarjes së rëndë nuk është kapur ende nga policia. Prej të premtes pasdite, forca të RENEA-s dhe efektivë të Komisariatit të Dibrës kanë nisur kërkimet për kapjen e autorëve të ngjarjes së rëndë. Por, tre fëmijët me inicialet K. M., 12 vjeç, 0.H., 12 vjeç dhe Xh. A., 11 vjeç janë paraqitur bashkë me prindërit e tyre në polici, nga ku janë marrë në pyetje për ngjarjen që ndodhi në bjeshkët e Korabit, e cila vuri në alarm Ambasadën Çeke dhe Policinë e Shtetit. Mësohet se fëmijët gati njëzëri kanë fajësuar 16-vjeçarin nga fshati Radomirë Rr.Domi. Sipas tyre, kishte qenë pikërisht ai personi që i kishte dhunuar e grabitur turistët e huaj. Sipas tre fëmijëve që u paraqitën në polici së bashku me prindërit e tyre, 16-vjeçari dhunues e grabitës është ndarë prej tyre pak orë pas ngjarjes, pasi ka dëgjuar zhurmën e helikopterit. “Nuk jemi në dijeni ku ka shkuar ai, por sapo dëgjoi zhurmën e helikopterit, iku me vrap. Nuk dimë nëse ka kaluar matanë kufirit apo është fshehur në mal”, janë shprehur tre fëmijët për grupin hetimor të ngjarjes. Ata kanë pohuar se çantat e turistëve janë rrëmbyer nga 16-vjeçari dhe se ata nuk kanë dijeni çfarë kishte pasur brenda. Pas pohimeve të tyre për grupin hetimor, të miturit janë lënë të lirë, ndërkohë vazhdojnë kërkimet për autorin kryesor, si dhe zbardhjen e plotë të dhunimit dhe grabitjes së turistëve çekë në malet e Dibrës. h.p











