Grabitja e BKT-së, kapet i dyti

Aug 22, 2011 | 10:43
Banka ku ndodhi grabitja në Vlorë

Kapet me 1 gram kokainë personi i dytë i dyshuar për grabitjen e filialit të Bankës Kombëtare Tregtare në Vlorë një javë më parë.Burimet zyrtare të policisë së Vlorës bëjnë të ditur se është vënë në pranga 24-vjeçari me precedent penal Aleksandër Sinanaj,  banor i fshatit Radhimë. “Ndalimi i këtij shtetasi është bërë pasi dyshohet të jetë autor i vjedhjes së Bankës Kombëtare Tregtare më datë 15.08.2011, në lagjen “Hajro Çakërri”, në qytetin e Vlorës”, njoftohej nga policia. Ai është vënë në pranga pas hetimeve të kryera nga Sektori Kundër Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Vlorë, në kuadër të operacionit të koduar “B.K.T”. Sinanaj është personi i dytë i ndaluar për grabitjen e bankës, pas arrestimit të një 22-vjeçari tri ditë më parë. Mësohet se në momentin e ndalimit, gjatë kontrollit personal 24-vjeçarit Sinanaj iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale 1 gram lëndë narkotike, e dyshuar kokainë. Për kapjen e këtij shtetasi, policia e Vlorës konfirmon faktin se janë përdorur metodat speciale të hetimit të krimit. Pas vënies në pranga të dy personave pritet vënia para akuzës së grabitjes dhe e dy të tjerëve, bashkëpunëtorë në këtë ngjarje të ndodhur në mes të ditës. Policia e Vlorës pohon se shumë shpejt e gjithë grabitja do të zbardhet dhe autorët e saj do të ndalohen. Grabitja e filialit të bankës BKT u shënua në mesditën e 15 gushtit, kur 4 persona realizuan planin e rrëmbimit të parave të saj. Ata iu afruan godinës me një makinë që ishte denoncuar dy ditë më parë si e vjedhur dhe, pasi qëlluan me armë jashtë e më pas në ambientet e bankës, arritën të grabitnin paratë e arkës dhe të klientëve që po prisnin për të kryer veprimet. Kjo ngjarje terrorizoi dëshmitarët e saj, pasi grabitësit ishin të armatosur dhe i kërcënonin se do t’i vrisnin nëse reagonin. Policia gjeti brenda pak minutash makinën e autorëve të braktisur, ndërsa ata po arratiseshin, bashkë me një sasi parash. Tashmë, materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë për veprat penale “vjedhje e bankave dhe arkave të kursimit” e kryer në bashkëpunim, si dhe “prodhim e shitje të lëndëve narkotike”.

Bashkëpunëtori

Tri ditë më parë, 22-vjeçari Elins Malaj u prangos për grabitjen e Bankës Kombëtare Tregtare në Vlorë. Ai rezultoi të ishte pronari i makinës me të cilën u krye grabitja. Ndonëse ai e kishte denoncuar mjetin si të vjedhur, ndaj tij lindën dyshime për implikim në ngjarjen e ndodhur. Malajt iu gjet nga kontrolli fizik 2.6 gramë lëndë narkotike, e dyshuar si kanabis. Ai u prangos 3 ditë pas ngjarjes, pasi ishte mbajtur nën vëzhgim nga ana e policisë.

Dy në pranga, nuk dihen paratë

Mbetet ende mister fati i parave të grabitura në degën e BKT-së në Vlorë. Vetë drejtuesit e saj thanë se shuma nuk ka qenë e konsiderueshme, ndërsa klientët thonë të kundërtën. Por, pavarësisht shifrës, nuk bëhet e ditur nga policia nëse dy të arrestuarit e deritanishëm kanë pasur me vete dhe ndonjë pjesë të parave që mund të jenë grabitur. Deri në arrestimin e dy të tjerëve, të cilësuar si bashkëpunëtorë në ngjarje, ky fakt duket se do të mbetet i pasqaruar; Bashkë me atë se cili ishte organizatori dhe “koka” e drejtimit për realizimin e planit të grabitjes.

 

VLORE/ QEMAL BIRAKU

© Panorama.al

Te lidhura