Grabiti me armë, në pranga Sulltan Mehmeti

Sep 1, 2012 | 11:06

ELBASAN- Grabitje me armë që në orët e para të mëngjesit në një lagje të qytetit, ndërsa mësohet se Policia ka bërë të mundur arrestimin e autorëve, njëri prej të cilëve mban emrin e të madhit Sulltan Mehmeti. Ngjarja ka ndodhur kur 26-vjeçari me inicialet XH.K. ishte duke parkuar mjetin e tij tip “Benz” me targë TR 4292 N poshtë pallatit të tij në lagjen “28 Nëntori”. Por dy shtetas, nën kërcënimin e armës pistoletë, i kanë kërkuar të zbresë nga mjeti, më pas ata e kanë marrë “Benzin” e tij dhe janë larguar me shpejtësi. Ka qenë e menjëhershme ndërhyrja e Policisë, e cila bëri të mundur identifikimin dhe më pas arrestimin e dy shtetasve Mentor Zhezairi, 22 vjeç, si edhe Sulltan Mehmeti, 19 vjeç, që të dy me banim në Elbasan. Ky i fundit, i cili për ironi të fatit mban edhe një emër të madh për shqiptarët (sulltanë sundimtarë të Perandorisë Osmane), deri më tani pa precedentë në qytet, dyshohet se mund të ketë kryer edhe një sërë vjedhjesh të tjera, pasi kanë nisur një sërë hetimesh rreth tij. Ndërkaq, familja e 19-vjeçarit, të cilët duke qenë se mbiemrin e kishin Mehmeti, mësohet se në lindjen e tij e pagëzuan djalin me emrin Sulltan, me dëshirën e madhe që kur të rritej, djali i tyre të bëhej si Sulltan Mehmeti. 19-vjeçari, së bashku me shokun e tij, ndodhen në dhomat e paraburgimit të Komisariatit të Policisë në pritje të hetimet për veprën penale “vjedhje me armë e kryer në bashkëpunim”. Sipas Policisë, dy të rinjtë dyshohen se janë autorët e grabitjes me armë. Atyre iu sekusetruan arma, si edhe katër telefona celularë të dy autorëve.                                                  m.s

© Panorama.al

Te lidhura