
VLORE/ Një person e qëllon në kokë. Autori largohet pasi i mori xhiron e supermarketit
Po shkonte në këmbë drejt bankës për të derdhur 580 mijë lekë
Grabitje me armë në mes të ditës në qytetin e Vlorës. Një person ende i paidentifikuar arriti të posedojë një shumë prej 580 mijë lekësh, të cilat ia mori nën kërcënimin e armës automatike menaxherit të supermarketit “Euromax”. Ngjarja sipas Policisë ndodhi dje rreth orës 10:20, në një prej rrugicave pranë shkollës jo publike “Aulona”, në zonën e ish-fabrikës së orizit.
“Shtetasi me inicialet A.L., 24 vjeç, menaxher i supermarketit ‘Euromax’, po shkonte për të depozituar në bankë shumën prej 580 mijë lekësh, kur i ka dalë përpara një person. Nën kërcënimin e një arme zjarri ngjyrë gri, e dyshuar automatik, i ka marrë sasinë e lekëve që kishte me vete dhe më pas është larguar për në thellësi të lagjes”, bëri të ditur Policia e Vlorës. Sipas dëshmisë së 24-vjeçarit, sapo ka dalë nga supermarketi, ai ka pikasur një person të dyshimtë që po e ndiqte. Ai është shqetësuar nga ndjekja dhe ka bërë përpjekje të largohej duke shpejtuar hapat, pasi banka ndodhej në distancën jo më shumë se rreth 300 metra. Por për të mbërritur në bankë ku duhej të depozitonte edhe shumën e parave, ai duhej të kalonte nëpër një rrugicë nga ku më pas do të dilte në rrugën kryesore. Burime të Policisë së Vlorës bënë të ditur se 24-vjeçari është shprehur se grabitësi e ka ndjekur atë me vrap dhe më pas e ka kërcënuar se do ta qëllonte me armë zjarri, nëse do të bënte tentativë rezistuese. Pasi e ka ndaluar në rrugë, ai e ka qëlluar me grusht, duke i shkaktuar edhe fraktura, dhe më pas arriti të largohej me shpejtësi, duke i marrë të gjithë shumën e parave që menaxheri i supermarketit mbante me vete. Ngjarja ka lënë të shokuar edhe disa kalimtarë, të cilët përjetuan momente paniku nga personi i armatosur që mund të qëllonte në çdo moment. Dëshmitarët i pohuan Policisë se pasi kreu grabitjen, ai mori drejtimin tjetër duke humbur gjurmët në rrugicën nga ku doli. Policia mbërriti në vendin e ngjarjes, e njoftuar nga banorët që panë skenën e grabitjes dhe grupi hetimor kreu ekspertizën përkatëse në vend. Ndërsa 24-vjeçari, i cili kishte mbetur i plagosur nga grushtet e grabitësit, u dërgua në spitalin e Vlorës. Ai mori ndihmën e parë në spital dhe më pas u largua për të dhënë dëshminë në polici, pasi gjendja e tij nuk paraqiste probleme të theksuara. Ai i deklaroi grupit të hetimit se kishte pasur me vete 580 mijë lekë, të cilat ishte nisur t’i depozitonte në një banke të afërt me supermarketin. Blutë kanë marrë në pyetje edhe punonjës të tjerë të “Euromax”. Dyshohet se dikush prej tyre mund të ketë qenë i implikuar dhe ka njoftuar grabitësin në momentin kur menaxheri do të dilte me shumën e parave i vetëm në rrugë. Sipas dëshmisë së të riut, autori i ngjarjes ka qenë i pamaskuar, rreth 20 vjeç. Bazuar edhe në dëshminë e banorëve që janë ndodhur në vendin e ngjarjes, dyshohet se arma automatike ka qenë e rremë. Policia ka marrë në pyetje 5 persona të dyshuar se mund të jenë të implikuar apo të kenë dijeni për ngjarjen.
Sekuestrohen kamerat e disa bizneseve
Policia e Vlorës është duke hetuar ngjarjen e rëndë, e cila shënon precedentin e radhës në mes të ditës në këtë qytet. Blutë kanë sekuestruar kamerat e sigurisë së disa bizneseve që kanë qenë disa metra më larg, në rrugë kryesore, ku menaxheri i supermarketit po tentonte të shkonte. Blutë nuk konfirmuan nëse kamerat mund të kenë arritur të fiksojnë lëvizjet në një distancë kaq të largët. Gjithashtu janë marrë në pyetje edhe dëshmitarët okularë, të cilët ashtu sikurse vetë i dëmtuari kanë dhënë përshkrimin fizik të autorit të ngjarjes.
VLORE/ QEMAL BIRAKU
© Panorama.al











