Persona ende të armatosur dhe me maska grabitën një kazino pranë Zogut të Zi në Tiranë, mesnatën e së shtunës.Ngjarja ndodhi rreth orës 23:45, në një sallë lojërash fati, tek rrethrrotullimi i “Zogut të Zi”, i njohur tashmë si sheshi “Rilindja”. Burime nga policia e kryeqytetit thanë se grabitja dyshohet të jetë kryer nga dy persona me maska, të cilët nën kërcënimin e armëve kanë arritur të vjedhin rreth 300 mijë lekë të rinj. Ngjarja është denoncuar në sallën operative të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, nga pronari i kazinosë që, sapo është vënë në dijeni nga punonjësit, ka shkuar në vendin e ngjarjes. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar forca të shumta të Komisariatit Nr.3, si dhe oficerë të Seksionit Kundër Vjedhjeve me Dhunë dhe Armë. Pasi është bërë këqyrja e vendit të ngjarjes për të gjetur ndonjë provë të mundshme, dhe janë marrë në pyetje punonjësit e klientët e pranishëm, policia ka sekuestruar edhe kamerat e sigurisë së kazinosë. Ndërsa zona përreth vendit të ngjarjes është patrulluar deri në orët e para të mëngjesit të djeshëm për të rënë në gjurmët e autorëve, edhe pse policia ende nuk i ka identitetet e tyre.
DESHMITE
Pasi është njoftuar për grabitjen dhe ka bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes, policia ka shoqëruar për të marrë në pyetje pesë dëshmitarë okularë, të cilët ndodheshin në ambientet e kazinosë, si dhe disa persona të tjerë që ndodheshin në lokalet ngjitur me të. Përveç një përshkrimi sipërfaqësor për autorët, dëshmitarët nuk kanë arritur të japin detaje të hollësishme për ta, për vetë faktin se ata ishin të maskuar. Dy punonjësit e kazinosë së grabitur, arkëtari dhe një kameriere, si dhe tre klientë, që në momentin e ngjarjes po luanin në kompjuter, kanë përshkruar autorët si të rinj në moshë, por nuk u kanë parë asnjë tipar dallues të fytyrës. Sipas dëshmitarëve, njëri prej autorëve ka qëndruar tek dera e kazinosë, duke mbajtur pistoletën drejt klientëve, ndërsa bashkëpunëtori i tij i është drejtuar arkëtarit dhe e ka kërcënuar, duke i vënë pistoletën në kokë. Punonjësi i kazinosë është detyruar t’u japë të gjitha paratë që ndodheshin në arkë, rreth 300 mijë lekë e më pas grabitësit janë larguar. Burime nga policia thanë se kamerat e sigurisë që u sekuestruan në vendin e ngjarjes nuk kanë pamje të qarta, për shkak të errësirës në zonën ku ndodhi grabitja. Megjithatë, policia vazhdon hetimet për të zbuluar identitetin e autorëve dhe më pas arrestimin e tyre.
ETLEVA DELIA











