Grabitet e dhunohet efektivi i Forcave Speciale të Tiranës.Ngjarja ndodhi në orët e vona të së martës, në afërsi të fshatit Bushnesh të Krujës, kur dy persona ende të paidentifikuar e kanë qëlluar me levë efektivin, i cili pas shërbimit punonte edhe si taksist. Burime të Policisë së Krujës bënë të ditur se efektivi i repartit special të 712-ës në Tiranë, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, pasi ka lënë shërbimin, ka dalë të punonte si taksist në afërsi të Zogut të Zi në Tiranë. Sipas dëshmisë së tij dhënë në polici, rreth orës 22:30 të së martës, dy të rinj me dialekt verior i kanë kërkuar, pa e ditur se ishte punonjës policie, që t’i çonte ata në Laç kundrejt një pagese prej 2500 lekësh. Pasi kanë rënë dakord për pagesën, taksisti është nisur bashkë me dy të rinjtë për në Laç. Por, kur janë afruar në fshatin Bushnesh të Krujës, njëri prej pasagjerëve i ka kërkuar taksistit që ta linte atë në afërsi të Bushneshit, ndërsa shoku i tij do të zbriste në Laç. Pasi ka lënë rrugën kryesore, njëri nga të rinjtë i është drejtuar shoferit duke i thënë se i kishte rënë goma e pasme e pasagjerit dhe makina po ecte në disk. Menjëherë efektivi i policisë, i cili pas shërbimit punonte edhe si taksist, ka ndaluar makinën duke dalë jashtë për të parë gomën që, sipas pasagjerëve të tij, i kishte rënë. Pas tij kanë zbritur edhe dy të rinjtë, me pretekstin se do ta ndihmonin për të ndërruar gomën. Sapo ai i ka dalë nga pas makinës, njëri prej të rinjtë e ka qëlluar me një levë pas kokës, që e mbante poshtë një xhakaventoje verore. Për pasojë, efektivi ka rënë pa ndjenja në tokë. Duke shfrytëzuar këtë fakt, autorët i kanë marrë pistoletën e shërbimit, makinën dhe telefonin celular. Pasi e kanë lënë në cep të rrugës, ata janë larguar me shpejtësi nga vendi. Kur është përmendur, taksisti ka mundur të dalë ashtu i përgjakur në rrugën kryesore, duke i kërkuar ndihmë një roje të një lokali në afërsi të autostradës. Roja sinjalizoi policinë, ndërsa një nga punonjësit e lokalit e dërgoi të plagosurin në spitalin rajonal të Laçit, ku edhe ka marrë ndihmën e parë mjekësore. Por, bluzat e bardha vendosën ta dërgojnë të plagosurin në Spitalin Ushtarak në Tiranë për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore nga plagët e marra. Policia e Kurbinit njoftoi edhe policinë e Krujës, e cila mbërriti në vendin e ngjarjes dhe nisi kontrollet për zbulimin e autorëve, për të bërë të mundur edhe gjetjen e autoveturës së policit, si dhe armën e tij të shërbimit. Policia ka marrë edhe dëshminë e taksistit, i cili deponoi ngjarjen dhe dha shpjegimet përkatëse duke përshkruar secilin prej autorëve që e grabitën atë.
2500 lekë
ishte shuma që taksisti kishte rënë dakord me pasagjerët e tij për t’i dërguar ata në Laç. Por, gjatë rrugës ndodhi edhe ngjarja ku ata e goditën me levë dhe më pas e grabitën
KRUJE/ ROLAND NIKOLLI
© Panorama.al











