
FIER – “Nuk flasim. Duam mbrojtje nga avokatët italianë, ose na çoni të gjykohemi në shtetin tonë”. Vetëm kaq kanë deklaruar në Policinë e Fierit dy shtetasit italianë të arrestuar për grabitje në vendin tonë, Giuseppe Margiotta dhe Franco Galluci. Ndërsa sot pritet që Gjykata e Fierit të vendosë masën e sigurisë ndaj tyre, hetimi po shtrihet në gjitha zonat ku ka shkelur këmba e italianëve grabitës. Hetimet e para nxjerrin në pah se i prangosuri 31-vjeçar, Franco Galluci, prej një viti strehohej në qytetin e Vlorës, pasi kërkohej nga Drejtësia italiane po për vjedhje me dhunë. Ai strehohej herë në shtëpinë e miqve të tij atje dhe në çastin kur i duhej t’u tregonte atyre se ikte në Itali, për të mos rënë në sy shkonte të flinte në një nga hotelet e qytetit. Asnjëherë përgjatë një viti ai nuk ka kaluar në shtetin italian, pas shpalljes atje në kërkim. Bashkëpunëtori tjetër, Giuseppe Margiotta, 33 vjeç, kishte zgjedhur të mbërrinte në Shqipëri e të kthehej në Leçe disa herë, pasi nuk kishte probleme me Drejtësinë atje. Ata mësohet se frekuentonin hotele të ndryshme kur ndodheshin të dy në Shqipëri. Po ashtu, burimet tregojnë se ata kanë bërë shumë kujdes edhe me gjuhën, duke mos folur fare atje ku hynin për të vjedhur, me qëllim të ruheshin nga zbulimi i identitetit të tyre si shtetas të huaj. Madje, dhe në Vlorë njiheshin me emra të tjerë. Të veshur me rrobat e tyre të “punës”, xhupa me kapuç, të cilët i vendosnin kur kryenin grabitjet e argjendarive, ata vepronin në një mënyrë të tillë që nuk i linin askujt kohë që të dyshonte. Sipas hetimeve të para policore, mësohet se as vetë dy grabitësit italianë nuk bënin ndonjë plan apo etiketim të argjendarive që do të vidhnin. Sapo gjendeshin përballë ndonjë prej argjendarive dhe nëse u dukej momenti i duhur, ata komunikonin vetëm me një vështrim me njëri-tjetrin, vendosnin në kokë kapuçat e xhupave dhe me shpejtësi grabisnin sa bizhuteri të mundnin, duke i kërcënuar, shpesh edhe me armë, pronarët e dyqaneve apo shitësit. m.r











