TIRANE – Një biznesmen u sulmua pasditen e djeshme nga grabitësit, sapo kishte dalë nga banka me 400 mijë lekë të rinj. Ngjarja ndodhi rreth orës 16:00, në afërsi të Zogut të Zi në Tiranë. Administratori i një kompanie kafeje po udhëtonte me makinën e tij nga kryqëzimi i Laprakës drejt qendrës së kryeqytetit kur është sulmuar. Sipas Policisë, autorët e ngjarjes kanë qenë dy të rinj që e kishin pritur e më pas e kanë ndjekur me motor biznesmenin Robert Dume, që prej momentit kur ka hyrë në bankë e derisa ai ka ndaluar në trafik. Ky ka qenë momenti më i volitshëm për autorët që të kryejnë grabitjen. Njëri prej djemve që mbante skafandër në kokë, ka zbritur nga motori dhe, pasi i ka thyer xhamin e makinës, e ka goditur Dumen me tytën e pistoletës në kokë, më pas ka marrë paratë që ai kishte në makinë. Gjithçka ka ndodhur brenda pak minutash dhe autorët kanë pasur mundësi të largohen me motor, pa arritur të identifikohen nga policia. Ndërsa i dëmtuari është transportuar në Spitalin Ushtarak, ku ka marrë mjekonim e nevojshëm. Sipas burimeve nga grupi hetimor, autorët e ngjarjes së djeshme mund ta kenë planifikuar ngjarjen prej kohësh dhe dyshohet ta kenë njohur administratorin Robert Dume. Për këtë arsye, ata kanë qenë në dijeni për veprimet e djeshme në bankë dhe e kanë pritur derisa ka dalë, për ta grabitur më pas. Dume ka deklaruar në polici se kohët e fundit ka bërë disa veprime në të njëjtën bankë, madje ka tërhequr shuma edhe më të mëdha se 400 mijë lekë të rinj që iu grabitën dje. Edhe ai vetë dyshon që personat që e goditën me tytë pistolete në kokë dhe i vodhën paratë, mund të kenë ndjekur prej ditësh lëvizjet e tij. Megjithatë, ai nuk ka mundur të zbulojë në kohë motorin që e ndiqte nga pas dhe aq më pak të identifikojë personat që e sulmuan, pasi sipas tij, të dy ishin me skafandra në kokë. Por përveç kësaj, ai nuk ka pasur kohë të mjaftueshme për të fiksuar ndonjë element të autorëve që mund të ndihmonte policinë. Fillimisht është trembur nga xhami i thyer në krah të tij, pasi ai e drejtonte vetë makinën. Më pas ka humbur ndjenjat nga goditja në kokë. e.d











