Grabitësi i shtëpisë së Kserës vodhi edhe 4 banesa të tjera

Feb 11, 2012 | 12:07
Ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale, Spiro Ksera

TIRANE – Personi që grabiti shtëpinë e ministrit të Punës dhe Çështjeve Sociale, Spiro Ksera, u arrestua gjatë operacionit të koduar “Rolex”, të forcave të Komisariatit Nr.3, kur po tentonte të vidhte një tjetër banesë në pronësi të një biznesmeni egjiptian. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës thanë dje se 24-vjeçari Arbër Shiqerukaj u arrestua në afërsi të sheshit “Rilindja”, duke tentuar të hynte në banesën e shtetasit egjiptian Osma Labib. Ndërsa nga hetimi i kryer nga oficerët e Komisariatit Nr.3, ka rezultuar që Shiqerukaj, bashkë me dy persona të tjerë të shpallur në kërkim, ka vjedhur edhe katër banesa të tjera. Nga verifikimet rezultoi që ai është bashkautor në vjedhjen e banesës së Ervis Martinajt, ku ka marrë një orë “Rolex”, më 31 janar të këtij vit, të banesës së Albert Muçajt, më 28 janar, të Evis Vulajt, më 2 janar dhe të Elis Laskajt. Në të gjitha rastet, grabitësit kanë operuar me të njëjtën mënyrë për të hyrë në shtëpitë e të dëmtuarve, ashtu si edhe në rastin e ministrit Spiro Ksera. Çelësi për t’u futur në apartament ka qenë një kartë (kryesisht kartë bankomati, por dhe karta të ngjashme me të). Me një “çelës” të tillë, autorët e ngjarjes kanë arritur të hapin dyert e blinduara, që ishin harruar të kyçeshin nga jashtë nga familjarët. Sipas Policisë, kjo është një metodë që ka filluar të përdoret shpesh së fundmi, që hajdutëve u kursen edhe kohën për të thyer derën. Me një kartë të tillë, ata arrijnë të shtyjnë dhëmbëzat e bravës dhe të futen brenda në banesën që duan të vjedhin.

© Panorama.al

Te lidhura