TIRANE – Dy grabitje me dhunë dhe me përdorimin e armës kanë ndodhur ditën e djeshme në kryeqytet. Një dyqan ushqimor dhe një butik u grabitën nga persona të maskuar dhe të armatosur. Autorët dyshohet se kanë vjedhur në total një shumë prej 90 mijë lekësh dhe disa paketa cigaresh në të dyja rastet. Ngjarja e parë ndodhi në orët e para të mëngjesit të djeshëm, në rrugën “Jordan Misja”. Një person i maskuar është futur në banesën private të Petrit Kukës, një pjesë e së cilës përdorej edhe si dyqan ushqimor, dhe duke kërcënuar familjarët me automatik, ka arritur të vjedhë rreth 80 mijë lekë që ndodheshin në arkën e dyqanit. Sipas të dhënave të Policisë, ky person i ka vjedhur edhe disa paketa cigaresh pronarit të dyqanit e më pas është larguar pa u identifikuar ende nga policia. Ndërsa mbrëmjen e djeshme, rreth orës 20:00, një tjetër grabitje me armë ndodhi në Rrugën e Kavajës. Në mbrëmje dy personat e armatosur kanë sulmuar një dyqan veshjesh, brenda të cilit ndodhej vetëm shitësja. Njëri prej autorëve, i cili kishte vendosur maskë, është futur brenda dhe duke kërcënuar vajzën e re që ishte e punësuar aty, e ka detyruar t’i dorëzojë të gjitha paratë që kishte në sirtar. Ndërsa bashkëpunëtori i tij, sipas deklarimeve që ka dhënë shitësja në polici, ka qëndruar te dera e jashtme e butikut, duke vëzhguar rrugën. Mësohet se autorët kanë arritur të vjedhin 10 mijë lekë dhe më pas janë larguar. Sipas burimeve, gjatë të dy grabitjeve nuk ka pasur të shtëna me armë. Policia ka bërë këqyrjet e vendngjarjeve për të fiksuar ndonjë gjurmë të mundshme të autorëve dhe për të gjetur prova që mund t’i çojnë drejt identifikimit e më pas arrestimit të tyre. Për të dyja ngjarjet, policia ka ngritur grupet përkatëse hetimore që po punojnë me grumbullimin e provave dhe fakteve për zbulimin e autorëve. Policia tha se ka shoqëruar disa persona në lidhje me të dyja ngjarjet e ndodhura. Të shoqëruarit mësohet se janë dëshmitarë dhe persona të dyshuar për autorësinë e grabitjeve ndaj pozita e tyre po verifikohet.











