
Grabitet me armë në mes të qytetit të Lezhës një pikë e këmbimit valutor. Dy persona të pamaskuar janë futur brenda dhe nën kërcënimin e armëve kanë mundur të marrin rreth një milion lekë. Grabitësit kanë përfituar edhe nga lëvizja e madhe e njerëzve në momentin e ngjarjes dhe janë futur brenda pa u vënë re as nga roja. Burime të Policisë bënë të ditur se nga të dhënat paraprake dyshohet se autorët kanë përvetësuar tre mijë dollarë dhe 700 mijë lekë e më pas janë larguar në drejtim të paditur. Sipas Policisë së Lezhës, grabitja ka ndodhur dje rreth orës 14:00, në afërsi të qendrës së qytetit. Dy persona ende të paidentifikuar kanë hyrë në mënyrë shumë të shpejtë në pikën e këmbimit valutor, duke mos rënë në sy as të rojës. Njëri ka qëndruar pranë derës kryesore duke nxjerrë edhe armën me të cilën kërcënoi pronarin e pikës së këmbimit. Ai gjithashtu kontrollonte edhe lëvizjet jashtë pikës së këmbimit. Ndërsa bashkëpunëtori i tij, nën kërcënimin e pistoletës, e ka detyruar pronarin t’i dorëzojë shumën e parave që kishte tërhequr nga një bankë në Lezhë pak minuta më parë. Arma te koka e ka detyruar pronarin të dorëzojë të gjithë shumën e parave, të cilat në total mendohet të jenë rreth një milion lekë. Pasi ka marrë lekët, ai është larguar bashkë me bashkëpunëtorin e tij në këmbë nëpërmjet një rruge që ishte ngjitur me pikën e këmbimit valutor. Policia e njoftuar për ngjarjen mbërriti menjëherë në vend dhe nisi hetimin. Paraprakisht u morën në pyetje pronari dhe punonjësi i tij, ndërsa janë sekuestruar edhe kamerat e sigurisë, nëpërmjet të cilave mund të identifikohen dy personat që u futën të grabisnin. Burime nga grupi hetimor bënë të ditur se grabitësit janë futur pa maska dhe veprimtaria kriminale e tyre është e dokumentuar nga kamerat e sigurisë të instaluara në ambientet e dyqanit. Në pyetje janë marrë roja si dhe disa dëshmitarë të tjerë, të cilët kanë dhënë dëshminë e tyre në lidhje me ngjarjen. Blutë shoqëruan 35 persona që dyshohet se mund të kenë dijeni, ndërsa janë duke punuar për identifikimin dhe arrestimin e dy grabitësve edhe me metoda të tjera speciale.
LEZHE/ ROLAND NIKOLLI











