Gordon: Jahjaga, të kryejë të plotë mandatin presidencial

Jul 10, 2012 | 15:10
Jahjaga në konferencë për shtyp me Filip Gordon

Pas vizitës në Beograd, nënsekretari amerikan, Filip Gordon, ka vizituar Prishtinën me mesazhin e qartë se “Serbia duhet të përballet me realitetin e shtetit demokratik e sovran të Kosovës” dhe Kosova duhet të respektojë plotësisht vendimin e Gjykatës për Presidenten”. Ndihmëssekretari amerikan për çështjet Europiane, Filip Gordon, takoi dje Presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga. Ai vinte nga vizita në Beograd, ku kishte takuar Presidentin e sapozgjedhur, Tomisllav Nikoliç, të cilit i kishte përcjellë qëndrimet e SHBA-ve se Kosova është shtet i pavarur me integritet të plotë territorial. “I kam shprehur atij qëndrimin se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin sovranitetin dhe integritetin e Kosovës”, tha Gordon. Sa për vazhdimin e dialogut Kosovë–Serbi, Gordon tha se SHBA-të angazhohet që marrëveshjet e arritura deri tani të zbatohen. “Ne i mbështesim plotësisht aspiratat e Kosovës për integrimin e Bashkimin Europian, e po ashtu edhe të Serbisë”, u shpreh zyrtari i lartë amerikan. “Në emër të Presidentit Obama dhe sekretares Klinton e kam uruar Presidenten dhe popullin e Kosovës për përmbylljen e fazës së mbikëqyrjes ndërkombëtare”, shtoi ai, ndërsa për Veriun “Zyra Civile atje është në të mirë të qytetarëve të atjeshëm, të cilëve do t’u shërbejë të jenë më afër institucioneve të Kosovës”, tha zyrtari amerikan. Gordon gjatë vizitës i dha mbështetje të drejtpërdrejtë edhe Presidentes Jahjaga. “Kemi ndjekur dhe përcjellë edhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe komenti i vetëm që ne kemi është se vendimi i Gjykatës duhet të respektohet plotësisht”, theksoi ai në lidhje me vendimin e Kushtetueses se Jahjaga ka mandat të plotë 5-vjeçar. “Ne e vlerësojmë punën që ka bërë Presidentja, sidomos në aspektin e sundimit të ligjit. Po flas në emër të sekretares Klinton dhe Presidentit Obama. Presidentja Atifete Jahjaga ka qenë imazh shumë pozitiv për Kosovën në këto 15 muajt e fundit, si në vend, ashtu edhe jashtë. Ne jemi të përkushtuar dhe do të punojmë me të deri në fund të mandatit”, theksoi ai. Në anën tjetër, Presidentja Jahjaga tha se Republika e Kosovës është një faktor i rëndësishëm i paqes dhe stabilitetit në rajon.

Dalin nga Qeveria
Qeveria e Kosovës ka liruar nga detyra dy anëtarë të kabinetit Thaçi, Bujar Bukoshi dhe Astrit Haraqia “Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pranuar sot zyrtarisht kërkesën për lirimin nga detyra të zëvendëskryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Bujar Bukoshi dhe lirimin nga detyra të zëvendësministrit të Ministrisë së Financave, Astrit Haraqija, deri në përfundimin e procesit gjyqësor”, thuhet në komunikatë. Të dy zyrtarët, përfaqësues të “Lista Rugova”, po hetohen për korrupsion e akuza të tjera.

© Panorama.al

Te lidhura