“Gonzato na tha që projekti është anuluar”- Rama replikon me gazetaren e huaj: S’ka projekt, nuk e di ç’ju ka thënë Ambasadori! Një miku im ka dalë në protestë se…

Jun 9, 2026 | 16:03

Kryeministri Edi Rama i cilësoi gënjeshtra ato që thuhen për ekzistencën e një projekti për Zvërnecin apo anulimin dhe pezullimin e tij.

rama konference

Ai përsëriti se nëse një projekt nuk ekziston nuk ka as se çfarë të miratohet, as çfarë të pezullohet dhe as çfarë të anulohet.

Madje ai pati edhe një përplasje me gazetarët e huaj që përsëritën se ai kishte deklaruar më herët se projekti ishte anuluar. Rama e mohoi dhe kërkoi të dëgjohej regjistrimi i asaj që kishte deklaruar, teksa nënvizoi se edhe gazetarët kishin rënë preh e gënjeshtrave të prodhuara në mediat sociale.

“Gënjeshtra janë shumë joshëse. Kjo është ajo që shpërndahet në të gjitha platformat. Si t’ju ndihmoj. Cila është diferenca me nuk ka një projekt me projekti është anuluar? Seriozisht po ju pyes, nuk ka asnjë ndryshim, nuk shihni një ndryshim? Seriozisht? Nëse nuk ka një projekt çfarë do të anulosh? Pra ju nuk shihni asnjë ndryshim mes nuk ka projekt dhe projekti është anuluar? Ndaj e bëra këtë pyetje, sepse nuk e kam thënë kurrë, mos këmbëngulni. Pra projekti është pezulluar. Gjyshja ime thoshte të bësh gabime është njerëzore, të këmbëngulni është djallëzore. Për të qenë të qartë. Pra projekti është pezulluar? Po nëse nuk ka projekt çfarë do pezullohet?”, u shpreh Rama teksa shkëmbente replika me gazetarët e huaj prezentë.

Ndërsa një nga gazetarët i tha se e kishin deklaruar autoritetet dhe më tej ambasadori i BE, Silvio Gonzato, Rama u shpreh se projekti nuk ekzistonte dhe as ishte anuluar.

“E kanë thënë autoritetet, ambasadori i BE-së thotë se është pezulluar”, u shpreh gazetarja.

“Autoritetet e kanë thënë? Cili ambasador?”, i tha kryeministri.

“Ambasadori Gonzato…”, iu përgjigj ajo.

“Kur jua tha?”, vijoi Rama.

“Sot në mëngjes”, u përgjigj gazetarja

“Nuk e di çfarë ka thënë ai. Por nëse e ka thënë këtë gjë e ka gabim. Ajo që di unë është se nuk ka projekt të pezulluar dhe kjo është reale dhe është e vërtetë”, u përgjigj kreu i qeverisë.

rama konferenca

Më tej Rama tregoi edhe një histori me një mikun e tij të ngushtë dhe të arsimuar siç e cilësoi, që i kishte thënë se me gardhin dhe marrëveshjen me Netanyahun e kishte prishur punën.

“Ju kuptoj sepse takova një mikun tim, m’u desh ta takoja për arsye të caktuara. Më tha jam vonë e i thashë ‘pa problem”. E pyeta a ke ndonjë problem? Më thotë isha në protestë! A, i thashë ishe në protestë?! Po, më tha. Njeri shumë i mirë, mysliman, jo fanatik, aspak! Frekuentonte xhaminë, i thashë po pse në protestë? Më tha dëgjo, e di që të dua, e di sa besnik që jam si mik, të besoj, por me këtë gardhin… Për t zbatuar atë që do Bibi Netanyahu, e ke tepruar. Unë i thashë hej, po flet me mua, unë nuk jam media sociale, ta kanë zënë mendjen me këtë dhe e ke te kjo dhe s’është e vërtetë, ta kanë zë mendjen”, tha ai.

Dhe për ta vijuar përgjigjen më tej, në diskurs të lidhur me pyetjet e gazetarëve, kryeministri theksoi se edhe ata kishin rënë pre e gënjeshtrave.

“Po flet me mua, unë nuk jam media sociale, ta ka zënë mendjen kjo dhe të kuptoj. Të kanë zënë mendjen, projekti anuluar, projekti pezulluar, përsëriten në mediat sociale dhe kanë zënë rrënjë në mendje, këto gënjeshtra ju kanë mbërthyer, është gënjeshtër sepse projekti nuk ka ekzistuar, nuk është miratuar, nuk anulon dot diçka që nuk është miratuar, nuk pezullon dot çfarë nuk është miratuar. Kjo është çmenduri, nuk është fjala ime kundër tuajës, është çmenduri, duhen fakte. Ju jeni gazetarë, duhet ta gjeni projektin dhe të vini e të thoni ja kjo është firma jote, firma ime, ku është projekti”, vijoi ai.

Kurse këmbënguljes së gazetarëve, ai iu përgjigj sërish se nuk kishin prova dhe fakte, ndërsa po u besonin mashtrimeve në rrjete sociale.

“Duhet vërtetuar, nuk shoh asnjë provë e fakt, nuk ka asnjë projekt. Unë them se për projektin po punohet nga njerëzit më të  mirë të mundshëm, edhe për mjedisin po punojnë njerëzit më të mirë, prishi dhe pastaj flisni, pastaj gjykoni. Mos flisni për flamengot. Doni prova, i gjeni lehtësisht, hyni në internet, flamingo dhe njerëzit, flamingo me fëmijë, me njerëz, që ecin me njerëzit. Ju them prisni dhe do të shohim. E di është e mërzitshme, por këto janë faktet”, tha ai.

 

© Panorama.al

Te lidhura