Gold Ag është bërë i famshëm edhe falë këngëve me motive patriotike. Ai ka publikuar albumin e tij të pestë në radhë, të dytin brenda këtij viti dhe është një tip shumë interesant, pasi brenda fshihet një njeri kontravers, por edhe religjioz e patriot. Ai habit opinionin me deklaratat e tij të menduara deri në imtësi, madje edhe mban qëndrim për gjithçka që ndodh. Mbi të gjitha flet për projektet e tij, dashurinë, bashkëpunimet e shumë gjëra të tjëra.
Je reper me ndikim, këngët e tua janë frymëzim për shumë të rinj, çfarë veçantie mendon se ke?
Jam i lumtur që këngët e mia pëlqehen nga fëmijë e pleq dhe ndodh kështu, sepse këngët e mia burojnë nga zemra, andaj prekin zemrat e të gjithëve. Nuk këndoj sa për sy e faqe, sa për të dalë në televizion. Misioni im është shumë më i rëndësishëm, dua të përcjell mesazhe te ata që më dëgjojnë, këngët e mia do të mbesin në kujtesë, do t’u dihet vlera edhe pas shumë viteve.
Sapo ke lançuar në treg albumin tënd të pestë në radhë, na thuaj diçka më shumë…
Është albumi im i pestë, i dyti i lançuar brenda një viti. Albumi ka 12 këngë dhe tashmë është në shitje. Dallon shumë nga albumi i parafundit, pasi brenda tij gjenden katër bashkëpunime. Kam katër mysafirë dhe i falënderoj, janë Besniku i NRG Band, Malësori, Hekuran Krasniqi dhe Rovena Stefa. Tekstet e këngëve i kam shkruar vetë, kurse orkestrimin e kanë bërë Dj Suat, Vloriani, Andini dhe G-On. Albumit i ka prirë klipi “Jam Ilir”, që ka dalë tashmë. Së shpejti do të jenë në trasmetim falë klipeve që kam realizuar edhe këngët “Toka ime” dhe “Malësia e Madhe”.
I ke kënduar dashurisë, tradhtisë, alkoolit, drogës e seksit, për çfarë s’ke kënduar?
Nuk kam kënduar asnjëherë në kundërshtim me zemrën.
Në repertorin tënd ka edhe këngë për luftën, çlirimtarët. Je patriot?
Patriotizmin e kemi traditë familjare.
Repi dhe patriotizmi a shkojnë bashkë?
Mendoj se në rep nuk është e thënë se duhet të shprehen vetëm lavdërimet për veten, të tregohet për femrat që na kanë kaluar nëpër duar, për paratë, veturat e shtrenjta e jetën luksoze. Repi im dallon nga ai i kullerave të famshëm, që shpesh bien në kundërshtim me veten. Ndihem krenar për këngët e mia me motive kombëtare e në të cilat ka frymë atdhedashurie. Do të këndoj për shqiptarinë derisa të kem forcë për të kënduar.
Je fetar, beson dhe praktikon fenë. Një kohë na u duk sikur besimi po e diktonte veprimtarinë tënde muzikore, ishte vërtet kështu?
I kam kushtuar këngë falënderimi krijuesit të gjithësisë, Zotit. Këngët si “Allah”, “Burrë e bal”, “Më fal o Zot”, “Pendimi”, janë këngë që t’i mbushin sytë me lot, por vetëm nëse ke frikë nga Perëndia. Jam fetar, andaj kam marrë edhe kritika, disa njerëz më kanë thënë se muzika është haram dhe se mua që i kam disa tatu në trup nuk më lejohet të përmend Zotin. E unë them: “Jam krenar se unë njeriu i muzikës e me tatu në trup gjej kohë për t’u përulur e falënderuar Zotin. Dikush pa qenë muzikant e pa asnjë tatto në trup kurrë në jetë nuk e ka parë xhaminë brenda.
Megjithatë, në klipin e fundit shfaqesh në prani të femrave, pse gjithë këto luhatje?
Kam dëgjuar teksa thonë “Ja ky muslimani”, u them se jam i njëjti dhe nuk ndryshoj për asgjë, por nuk jam dhe nuk do të jem i kufizuar, pasi pretendoj të jem këngëtari i të gjithëve e të gjithë janë të njëjtë.
BLERAND REXHEPI











