Gogla “të nxehta” për Skënderbeun

Jun 21, 2011 | 11:03
Lojtarët e Skënderbeut pas një ndeshjeje

Skënderbeu nuk ka pasur shumë fat në shortin e hedhur dje në Nion. Korçarët debutues në Europë do të përballen në Champions me
kampionët e Qipros, APOEL Nikosian.Në krahasim me fatin që patën shqiptaret e tjera, mund të thuhet se goglat u treguan më pak bujare, pikërisht me skuadrën korçare. Nëse për Skënderbeun kjo do të jetë hera e parë që do të luajë në kompeticionin më prestigjioz të klubeve apo edhe në Europë, për skuadrën qipriote do të jetë hera e 11-të që merr pjesë në Ligën e Kampioneve, ndërkohë që në total ka marrë pjesë 33 herë në Europë, përfshirë dhe 10 paraqitje në Kupën e Kupave dhe 13 herë në Ligën e Europës. Ndeshjet do të zhvillohen me 12/13 dhe 19/20 korrik. Sfida e parë do të zhvillohet në Korçë.
Flamurtari
Flamurtari do të luajë ndaj Buduçnostit malazez në turin e dytë paraeliminator të Ligës së Europës. Për vlonjatët, një përballje e tillë mund të konsiderohet relativisht si e favorshme, pasi duke parë nivelin e kundërshtarit, mund të thuhet se të dyja ekipet kanë shanse të barabarta për të vazhduar më tej. Nëse skuadra e Maganit do të arrijë të kalojë një raund, në turin tjetër do të përballen me Jablonecin çek, një ekip dukshëm më i fortë se nënkampionët e Shqipërisë.
Vllaznia
Vllaznia do të ndeshet me skuadrën e Birkirkarasë në turin e dytë paraeliminator të Kupës së Europës. Takimin e parë do ta luajë në transfertë më 30 qershor, ndërsa të dytin më 7 korrik në “Loro Boriçi”. Për ekipin shkodran është hera e dytë që ndeshet në Kupat e Europës me një skuadër malteze. Përballja e parë me një skuadër të tillë ka qenë ajo e vitit të largët 1987, kur kuqeblutë, si fitues të Kupës së Shqipërisë, u ndeshën me ekipin e Sliema Uondërers. Vllaznia atë vit pati arritur ta mposhtte me dy fitore (2-0 dhe 4-0) këtë skuadër. Në 2004-n, i njëjti rival u eliminua në raundin e parë të Kupës UEFA prej Partizanit, fitues 4-2 në Tiranë, pas humbjes 2-1 në Maltë. Megjithatë, nëse Vllaznia do të kualifikohet për në raundin e dytë, fortësia e kundërshtarit do të ndryshojë shumë me Tunit zviceran, që do të jetë rivali i tyre.
Tirana
Tirana do të luajë me fituesin e çiftit Spartak Trnava (sllovak) me Zetën (Mali i Zi). Për bardheblutë një short i tillë mund të konsiderohet jo shumë me fat, duke qenë se, si të vendosur në vazon e parë, mund të luanin edhe ndaj skuadrave amatore si ato të Andorrës, Ishujve Faroe, San Marinos apo të tjerave të të njëjtit rang.

Shkendija

Shkëndija e Tetovës do të debutojë në një kompeticion ndërkombëtar në një ndeshje që mund të konsiderohet si një “bombë” politike përballë Partizanit të Beogradit. Partizani është famëkeq për grupet e tij nacionaliste dhe gjestet antishqiptare. Në planin sportiv, asnjë short s’mund të ishte më i pafavorshëm për tetovarët.

Skënderbeu Duro: Apoeli, i frikshëm

Trajneri Shpëtim Duro e kishte deklaruar që më parë se cilado skuadër të binte, do të cilësohej si shumë e vështirë për Skënderbeun. Duro e vlerëson Apoelin si një superskuadër, e cila ka ardhur gjithnjë në rritje gjatë viteve të fundit. “Shorti na ka rezervuar një kundërshtar mjaft të fortë. Unë dua të kujtoj vetëm një fakt që është shumë domethënës. Dy vjet më parë, Apoeli është futur në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve dhe kjo do të thotë shumë. Për aq informacion sa kam, di që Apoeli është një skuadër me lojtarë cilësorë nga disa shtete të ndryshme dhe sigurisht me një buxhet shumë më të lartë se ne. Gjithsesi, ne do të kemi kohën të studiojmë kundërshtarin. Tani s’ka vend të flitet për synime, nëse do të kalojmë turin apo jo”, ka thënë Duro.

Vllaznia Josa e pranon: Jemi favoritë

Trajneri i Vllaznisë, Mirel Josa, u bë kohë që punon me grupin e lojtarëve që ka në dispozicion dhe shprehet optimist për ecurinë në Europë, pasi ka mësuar emrin e kundërshtarëve të radhës. “Mund të them se të gjitha forcat e Vllaznisë për takimet me ekipin maltez janë të mbështetura vetëm te ky grup futbollistësh, ndaj përfitoj nga rasti t’u bëj thirrje lojtarëve që të ndërgjegjësohen dhe ta marrin seriozisht këtë impenjim. Unë mendoj se kemi potencialin e duhur që me këta djem ta kalojmë turin tjetër. Ne duhet të kemi besim në forcat tona dhe të jemi të ndërgjegjshëm se ky është një short i favorshëm, por ama nuk duhet të bëhemi euforikë. Do të ishte fatale, sepse në futboll mund të penalizohesh kur nënvlerëson kundërshtarin”, pohoi Josa.

Flamurtari Magani beson te kualifikimi

Flamurtari përballë Budu-çnostit, ky është verdikti i shortit dhe i goglave të hedhura dje në Nion të Zvicrës. Menjëherë pas shortit kanë ardhur dhe reagimet e para nga kampi vlonjat, teksa trajneri i Flamurtarit, Gugash Magani, ka kërkuar që të mësojë sa më shumë për kundërshtarin që do të ketë përballë më 30 qershor dhe më 7 korrik në Vlorë. “Kemi përballë një ekip të shkollës ballkanase të futbollit – është shprehur Magani – megjithatë, nuk duhet konsideruar short i lehtë. Gjithsesi, nuk kam mendimin se do të jetë e vështirë për ta kaluar këtë skuadër, sepse, në fund të fundit, është një ekip normal. Natyrisht, tashmë që kemi mësuar emrin e kundërshtarit, do të kërkojmë të kemi më shumë informacion. Mendoj se kemi shanse të mira për ta kaluar turin.”

Tirana Tafaji i druhet ekipit sllovak

Alban Tafaji, i cili aktualisht është në rolin e drejtorit teknik te Tirana, në një deklaratë të dhënë për “Panorama Sport” ka komentuar hedhjen e shortit, që e konsideron të kalueshëm. Megjithatë, sipas tij, është herët për të bërë llogaritë, pasi paraprakisht skuadra duhet të mbyllë disa çështje dhe së dyti duhet të ndjekë nga afër ndeshjen e çiftit Spartak-Zeta. “Nuk e di sesi mund ta konsiderojmë veten, me fat a pa fat, megjithatë, mendoj se me më shumë punë ne mund të arrijmë të kalojmë çfarëdolloj kundërshtari, qoftë Spartakun, qoftë Zetën. Më shumë i druhem ekipit sllovak. Është një shkallë më lart se ekipi ynë, ndërsa malazezët nuk besoj se do ta kalojnë turin. Sidoqoftë, ne do të shkojmë ta ndjekim nga afër përballjen e këtij çifti”.

Shorti

LIGA E KAMPIONEVE

12 korrik
Skënderbeu-Apoel
19 korrik
Apoel-Skënderbeu

LIGA E EVROPËS

TURI I DYTË
30 qershor
Buduçnost – Flamurtari
7 korrik
Flamurtari – Buduçnost
30 qershor
Birkirkara – Vllaznia
7 korrik
Vllaznia – Birkirkara

TURI I DYTË
14 korrik
Tirana – Spartak Trnava ose Zeta
21 korrik
Spartak Trnava
ose Zeta-Tirana
14 korrik
Vllaznia
ose Birkirkara-Thun
21 korrik
Thun-Vllaznia
ose Birkirkara
14 korrik
Buduçnost
ose Flamurtari-Jablonec
21 korrik
Jablonec-Buduçnost
ose Flamurtari

© Panorama.al

Te lidhura