Goditi portën e Kryeministrisë më 21 janar, dënohet me 1 vit burg

Jun 18, 2011 | 10:02

Agron Troksi përplasi automjetin në portën metalike

Goditi portën e Kryeministrisë më 21 janar, dënohet me 1 vit burg

TIRANE – Gjykata e Tiranës dënoi me 1 vit burg Agron Troksin, drejtuesin e automjetit “Benz” që “shpërtheu” derën e rrethimit të Kryeministrisë gjatë demonstratës së dhunshme të 21 janarit. Troksi u deklarua “i fajshëm” për akuzën e “shkatërrimit të pronës”. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, ai përfitoi uljen e një të tretës së dënimit dhe përfundimisht u dënua me 8 muaj heqje lirie. Në të njëjtin vendim gjykata u shpreh edhe në lidhje me automjetin “Benz”, i njëjti që u përdor për aktin e dhunshëm. Sipas gjykatës, automjeti duhet të kalojë në llogari të shtetit. Pendesa e Troksit për veprimin e kryer u cilësua nga gjykata si e vetmja rrethanë lehtësuese në të mirë të tij. Pretendimi i Troksit se e kishte kryer veprimin nën presionin e turmës që e kërcënonte atë me jetë, rezultoi e paprovuar për trupën gjykuese. Vetë i pandehuri Troksi nuk ishte i pranishëm dje në sallën e gjyqit kur u shpall vendimi për dënimin e tij me burg. Vendimi ndaj Troksit u shpall nga gjyqtari Gerd Hoxha, shqyrtuesi i kësaj dosjeje në Gjykatën e Tiranës. Në të njëjtën seancë gjyqtari Hoxha u njoh me konkluzionet e palëve në proces. Përfaqësuesi i akuzës, prokurori Shpëtim Garunja pohoi para trupit gjykues se rezultonte e provuar fajësia e Agron Troksit në shkatërrimin e bankinës mbrojtëse të portës së rrethimit të Kryeministrisë. Në përfundim të argumenteve të tij, prokurori kërkoi nga gjykata deklarimin fajtor të të pandehurit dhe dënimin e tij me 10 muaj e 15 ditë burg. Në zbatim të gjykimit të shkurtuar, kërkesa e prokurorisë për dënimin përfundimtar të Troksit ishte 7 muaj burg. Nga ana e tij, mbrojtësi ligjor i të pandehurit, avokati Zef Nika, kërkoi që dënimi i klientit të tij të përkonte me kohën e paraburgimit të kryer nga Troksi, duke pretenduar në këtë forcë lirimin e të pandehurit. Para gjyqtarit Hoxha, avokati pretendoi se Agron Troksi ishte detyruar dhe kërcënuar me jetë nga turma, që të përplaste automjetin e tij në bankinën mbrojtëse të portës së Kryeministrisë. Sipas avokatit, Troksi kishte dalë të kërkonte dy djemtë e tij pasditen e 21 janarit. “Te hotel ‘Dajti’ ai është bllokuar nga turma. Nën kërcënimin e tyre ai ka vijuar rrugën. Për shkak të presionit të turmës dhe kërcënimeve me jetë, si edhe i tronditur, ai nuk ka menduar për pasojat dhe ka goditur portën”, u shpreh avokati. Po sipas avokatit, Troksi nuk ishte as pjesëmarrës në demonstratë dhe as simpatizant i ndonjë partie.                ar.ba

© Panorama.al

Te lidhura