Goditi derën e Kryeministrisë lirohet protestuesi i 21 janarit

Jul 8, 2011 | 10:23

Dëmi i shkaktuar nga goditja e automjetit “Benz 240” në pedanën mbrojtëse të portës së Kryeministrisë gjatë demonstratës së 21 janarit në Tiranë, është afro 221 mijë lekë.Shuma e dënimit bëhet e ditur në vendimin e Gjykatës së Tiranës që deklaroi fajtor për veprën e “shkatërrimit të pronës” drejtuesin e automjetit, Agron Troksin. Referuar akt-ekspertimit vlerësues të kryer në 30 mars 2011, i cili citohet në vendim, “rezulton se demi i shkaktuar nga i pandehuri Agron Troksi është në shumën 220 900 lekë”. Pak ditë më parë, Gjykata ka zbardhur vendimin, sipas të cilit Troksi u deklarua fajtor dhe u dënua me 8 muaj heqje lirie. Më 6 korrik, një vendim tjetër i Gjykatës së Tiranës urdhëroi lirimin e tij. Kjo për shkak se në këtë datë dënimi i Troksit rezultonte i kryer. Në vendimin ku u fajësua Troksi, pohohej se rezultonte e provuar se Troksi kishte hyrë forcërisht në ambientet e brendshme të rrethimit të Kryeministrisë. Pretendimet e vetë Troksit, pas arrestimit, se e kishte kryer këtë veprim pasi ishte kërcënuar nga turma, gjykata i vlerësonte si të pabazuara. Sipas arsyetimit të vendimit të shpallur nga gjyqtari Gerd Hoxha, i pandehuri Troksi e ka pasur kohën e mjaftueshme për t’iu shkëputur turmës.
ARSYETIMI
“Nga shqyrtimi gjyqësor rezultoi se, më dt.21.01.2011, në orën 17:34, ne bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’, Tiranë, i pandehuri   Agron Troksi ka hyrë forcërisht me mjetin e tij tip ‘Mercedes Benz 240’, me targë TR 8118 B, për në drejtim të territorit të brendshëm të objektit, ndërtesa e Kryeministrisë. Në këtë mënyrë, automjeti i drejtuar nga i pandehuri ka goditur, dëmtuar e prishur pedanën mbrojtëse, e cila në gjuhën teknike quhet ‘automatizimit me pengesa RSB 73’, që ndodhej në hyrje të rrugës, te porta e krahut verior të Kryeministrisë. Pas përplasjes, i pandehuri është larguar nga vendi i ngjarjes, duke lënë në vend  automjetin e tij të dëmtuar nga përplasja”, thuhej në vendimin e gjykatës. Në të njëjtin vendim, gjykata e shihte si të paprovuar argumentimin e Troksit për kërcënime me jetë ditën e ngjarjes. “Gjykata vëren se nuk ka asnjë provë që të mbështesë pretendimin e të pandehurit se atë ditë ai është ‘detyruar nga turma’, e cila e ka ‘rrëmbyer dhe e ka drejtuar drejt ndërtesës së Kryeministrisë, kundër dëshirës së tij, nën kërcënimin për jetën”. Përkundrazi, nga provat shkresore të administruara në dosje rezultoi se i pandehuri nuk ka pasur asnjë kërcënim për jetën e tij, të familjarëve të tij apo pronën e tij, nën efektin e të cilit të kryente veprën penale. Gjykata vëren se i pandehuri ka pasur gjithë kohën e mjaftueshme për t’iu shkëputur turmës. Ndërkohë që i pandehuri ka përshpejtuar veprimet e tij duke i dhënë gaz automjetit për të prodhuar një goditje sa më të fuqishme me pedanën mbrojtëse të godinës së Kryeministrisë, me qëllim shkatërrimin e saj”, arsyetohej në vendim.

Troksi: Më detyruan të sulmoj Kryeministrinë

TIRANE – Në seancën e caktimit të masës së sigurisë “arrest me burg” ndaj tij, më 28 janar, Troksi mohoi para trupit gjykues të kishte futur me dëshirën e tij automjetin “Benz” te Kryeministria, më 21 janar. “Unë nuk kam qenë në demonstratë. Shkova të marr kalamajtë e mi atje. Kam dy djem nga 20 vjeç. Unë kam qenë duke punuar tokën time në fshat. Kur isha tek ura e madhe e Lanës afër “Hotel Dajtit”, më erdhi turma. Më mori përpara. Më kërcënuan se do të më vrisnin nëse nuk bëja si më thoshin. Më thanë ta çoja makinën te Kryeministria. Mua m’u fik makina pasi më hoqën çelësin nga kuadri, të cilin e kisha me probleme. Më pas e mbaja baterinë gjysmë karikuar, që makina të mos ndizej, por turma më shtyu përreth 50 metra. E ndezën makinën me të shtyrë. Më thyen xhamin e pasmë të makinës. Më detyruan. Nëse shikohet fytyra ime në demonstratë, më dënoni me 100 vjet burg, nëse doni”, u shpreh ai nga kafazi i sallës së gjyqit.

 

Armand Bajrami

© Panorama.al

Te lidhura