
VLORE/ Panik në rrugë, një prej fëmijëve në spital, të tjerët shpëtuan pa lëndime.
Transportonte të miturit në kopsht, e përplasi benzi.
Fëmijët e një kopshti privat në Vlorë përjetuan momente paniku mëngjesin e djeshëm, pasi furgoni që i transportonte ata u aksidentua. Jeta e 6 të miturve u rrezikua, por fatmirësisht ngjarja përfundoi pa pasoja të rënda. Aksidenti ndodhi rreth orës 08:10, rreth 100 metra nga rrethrrotullimi i Skelës. Sipas drejtuesit të furgonit, 45-vjeçarit me inicialet D.Gj., mjeti tip “Benz”, me targë AA 588 DE, që udhëtonte nga Uji i Ftohtë drejt qytetit të Vlorës dhe që po ecte me shpejtësi i ka bërë shenjë me drita duke i kërkuar parakalim. Por furgoni me targë VL 526 C, i cili transportonte fëmijë të një kopshti privat në qytet, për shkak të rrugës së ngushtë dhe duke tentuar të evitonte përplasjen me automjetet që i vinin përballë nuk ia ka liruar rrugën. Në këto kushte, drejtuesi i “Benz”-it, 30-vjeçari E.S., është futur për parakalim në rrugë të ngushtë, por nuk ia ka arritur. Ai ka humbur kontrollin duke u përplasur fillimisht më një pemë anës rrugës dhe më pas është përplasur edhe me fugonin, brenda të cilit ndodheshin 6 fëmijët. Nga goditja furgoni ka dalë jashtë rrugës duke u spostuar në trotuar. Ngjarja shkaktoi panik te fëmijët, por fatmirësisht vetëm njëri prej tyre pësoi lëndime të lehta në hundë. Ai u dërgua menjëherë në spitalin e Vlorës dhe pas ndihmës së dhënë e kanë marrë prindërit e tij në banesë. Pesë fëmijët e tjerë nuk pësuan dëmtime, por gjendja psikologjike e tyre ditën e djeshme mësohet se ishte mjaft e ngarkuar. Një furgon tjetër i kopshtit mbërriti menjëherë në vend dhe i mori ata, por më pas mbërritën edhe prindit e tyre, duke u munduar t’u qëndrojnë afër pas traumës së shkaktuar. Dëmtime në kokë, por pa pasoja të rënda pësoi edhe drejtuesi i mjetit që transportonte fëmijët. Sipas mjekëve, fëmija i plagosur në hundë nuk paraqiste asnjë rrezik për jetën dhe as nevojën për t’u shtruar në spital. Dëmtime të lehta ka marrë edhe shoferi i “Benz”-it, i cili pas ndihmës mjekësore u shoqërua për disa orë në polici, për t’u lënë më pas në ndjekje në gjendje të lirë. Sipas Policisë, shkaku i aksidentit ka ardhur si pasojë e shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor nga ana e drejtuesit të “Benz”-it, shpejtësisë jashtë normave të lejuara, si dhe manovrimit të gabuar të tij. Fatmirësisht, rruga ku ndodhi aksidenti është e drejtë dhe nuk paraqiti rrezikshmëri për mjetet për të rënë në det, çka mund të kishte përfunduar me pasoja tepër të rënda.
DEKLARIMET
Drejtuesi i “Benz”-it është marrë në pyetje pas aksidentit, nga ku mësohet se ka pranuar fajësinë e ngjarjes së rëndë. Ndërkaq, shoferi i mjetit furgon që transportonte fëmijët është marrë gjithashtu në pyetje. Por ai ka deklaruar se po ecte në korsinë e duhur sipas rregullave të qarkullimit rrugor dhe me shpejtësi normale. Sipas dëshmisë së tij, për shkak të rrugës së pamjaftueshme për tri makina, “Benz”-i doli nga rruga dhe u përplas fillimisht me pemën e më pas me mjetin ku ndodheshin fëmijët.
VLORE/ QEMAL BIRAKU
© Panorama.al











