I kujtohet si sot, kur me lot në sy i shihte fëmijët e tjerë që mbanin në duar lodra të mëdha pelushi. Ajo kishte merituar çmimin e parë, e çfarë kishte fituar? Një kupë, me të cilën nuk dinte se çfarë të bënte.. Sot, Gloria Campaner është rritur. Që nga ai çmim i parë ka fituar edhe dhjetëra të tjerë, por ndryshe nga atëherë, çdo kupë është një gëzim dhe një nxitje më shumë. “Isha shumë e vogël atëherë. Fituesve të çmimeve të dyta e të treta u jepeshin lodra gjigande prej pelushi të një marke shumë të mirë, kurse çmimit të parë i jepej një kupë. Më kujtohet që kur mora këtë kupë, u trishtova shumë dhe fillova të qaja. Ime më u mundua të ma shpjegonte rëndësinë e saj, por unë isha fare e vogël, 4 apo 5 vjeç, dhe lodrat kishin më shumë rëndësi. Më vonë gjërat ndryshuan, vlerësimet u bënë të rëndësishme dhe është bukur të të vlerësojnë dhe të dëgjosh profesorët që të urojnë”, tregon pianistja 25-vjeçare, e cila sot ndodhet në Tiranë për të interpretuar në krah të pianistit Marcello Abbado dhe me orkestrën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, drejtuar nga Zhani Ciko. Ajo konsiderohet si një gjeni në fushën e saj. Kaq e re dhe ka fituar kaq shumë trofe, çmime kombëtare e ndërkombëtare, rëndësia e të cilave nisi të rritej me rritjen në moshë. Por të gjitha këto fitore, nuk i çojnë kokën në re. Ajo di të rrijë me këmbë në tokë… “Mendoj se duhet parë gjithnjë përpara dhe se me përulësi mund të shkosh shumë larg. Kam bërë vetëm një rrugëtim fare të shkurtër, ndërsa jeta është shumë e gjatë”, thotë ajo dhe pamja e qeshur, merr menjëherë një hije serioze. Tanimë pianoja është jeta e saj e të mendosh se nisi tërësish si lojë, kur ajo ishte vetëm 4 vjeç. Shoqëronte një fqinjën e vet të ndrojtur në një kur muzike, ku fëmijët mësonin të këndonin, të kërcenin, t’i binin instrumenteve. E ndërsa shoqja e saj u largua duke qarë, Gloria vijoi të shkonte dhe të nesërmen, dhe të pasnesërmen, e kështu me radhë, deri sa prej saj shpërtheu një talent i vërtetë. Gloria ndodhet për të dytën herë në Tiranë. Ka luajtur Rahmaninov e tani Beethoven. Tirana me njerëzit e saj të çlirët e të dashur, me kulturën e veçantë i ka fituar zemrën dhe ajo do të donte të kthehej sërish. Ndërkaq ajo shëtit skenat më të mëdha dhe jep masterklase në të gjithë botën.











