
TIRANË- Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruci, duke i quajtur gjyqet e kryeministrit, ministrave dhe familjarëve të tij si politike për t’i mbyllur gojën opozitës ka deklaruar se megjithë këto presione, opozita do të vazhdojë të bëjë detyrën e saj në denoncim të korrupsionit.
Ruci ësgtë ndaluar në gjyqin më të fundit ndaj nënkryetarit të grupit, Samir Tahiri për të cilin ka thënë se ai është një proces jo vetëm i njëanshëm, por edhe i paracaktuar, për të dënuar me cdo kusht Tahirin.
“Në proces gjyqësor janë dhe shumë deputetë të tjerë dhe e gjithë kryesia e grupit të PS, ka vetëm një motiv pse këta sot gjenden në dyert e gjykatave, të gjykuar nga gjyqtarë që nuk bëjnë drejtësi, por që si klientë të bindur të pushtetit bëjnë padrejtësi në emër të pushtetit. Arsyeja eshte se Tahiri, Kodheli, Hysi, Brace, Shalsi, Gaci, Balla, Felaj, Deda, Xhacka e shumë të tjerë kanë pasur dhe kanë guximin të denoncojnë të vërtetat e hidhura të qeverisë, Berishës, familjarëve, ministrave, deputetëve të pushtetit e sot po dënohen.”- tha ai.
Sipas Rucit, Grupi i PS denoncon proceset false e si të montuara politikisht nga Tomkat dhe Sashenkat e gjyqësorit shqiptar.
“Këto procese po kthehen në simbolin e nënshtrimit të gjykatave ndaj pushtetit politik, të cmontimit të sistemit të drejtësisë. Këto gjyqe po kthehen në kamxhikë të qeverisë ndaj deputeteve të opozitës me synimin për ti mbyllur gojën kujtdo që tregon vjedhjet, korrupsionin, përgjegjësitë e qeveritarëve”- tha ai.
© Panorama.al











