Gjyqësori, Topi: Pavarësi dhe standarde për në BE

May 14, 2012 | 10:29
Presidenti Bamir Topi

TIRANE-Kreu i shtetit, Bamir Topi ka tërhequr vëmendjen e gjyqtarëve për të shërbyer denjësisht në një sistem të pavarur dhe për të siguruar besimin e njerëzve te drejtësia.

“Nëse gjyqtarët nuk janë të ndërgjegjshëm për punën e rëndësishme që kryejnë, atëherë as Kushtetuta dhe ligjet nuk bëjnë dot gjë, nëse ata nuk janë të bindur për rëndësinë që ka pavarësia e gjyqësorit, as Kushtetuta e as ligjet nuk bëjnë dot gjë”- tha Topi në fjalën e tij në Konferencën e kryetarëve të gjykatave të larta te Evropës Qendrore dhe Lindore.

Sipas presidentit, arritja e standardeve më të mira kërkon përpjekje nga të gjithë, rritje cilësisë së veprimtarisë.

“Gjykata e Lartë ka rol të rëndësishëm në këtë përpjekje, ka rol thelbësor në funksionim e tërë sistemit gjyqësor, sado kontrolle dhe inspektime të ketë, efekti që sjell kontrolli i brendshëm gjyqësor është më i rëndësishëm. Besoj dhe uroj që kjo konferencë të ketë hap i parë dhe i rëndësishëm në shkëmbimin e përvojave më të mira të gjykatave të larta për rritjen e efikasitetit të punës, uroj që kjo të ndiqet nga të tjera për probleme që shqetësojnë sistemin e drejtësisë dhe në ndihmë të konsolidimit të këtyre sistemeve”- theksoi ai.

Topi ka vlerësuar rëndësinë e reformave në mënyrë të vecantë në këtë 100 vjetor të pavarësisë së vendit, kohë kur sipas tij shqiptarët të kenë mundësi të marrin statusin e vendit kandidat. “Një nga kriteret është arritja sa më shpejt e standardeve që kanë të bëjnë me drejtësinë”- tha ai.

 

Konferenca

Mengjesin e sotem ka nisur ne Tiranë konferenca e kryetarëve të Gjykatave të Larta të Evropës Qendrore dhe Lindore.

Në konferencë marrin pjesë kryetarët e Gjykatave të Larta të Shqipërisë, Azerbajxhanit, Kroacisë, Republikës Çeke, Gjeorgjisë, Hungarisë, Kosovës, Letonisë, Lituanisë etj.

Konferenca përshëndetet nga presidenti Bamir Topi, ambasadori i SHBA, Aleksandër Arvizu, gjyqtari i Gjykatës së Apelit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Qarkun e Dytë, John M. WalkerJr, dhe J. Clifford Wallace, gjyqtar i Gjykatës së Apelit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Qarkun e Nëntë.

Gjatë punimeve të konferencës do t`i kushtohet vëmendje disa prej çështjeve dhe problemeve më kryesore me të cilat përballet aktualisht sistemi i drejtësisë në vend.

 

© Panorama.al

Te lidhura