‘Korrupsioni, gjyqësori na ka ulur agresivitetin’

Jun 7, 2012 | 18:28

Kryeprokurorja Ina Rama ka akuzuar gjyqësorin, jo vetëm për mosmbështetje e bashkëpunim në nivelin që duhet, por se me vendimet e dhëna në shumë raste ka ulur agresivitetin e Prokurorisë në luftën kundër korrupsionit.

Deklarata është bërë gjatë një interviste që prokurorja e Përgjithshme ka dhënë për Zërin e Amerikës.

“Ne kemi tentuar të fokusojmë vëmendjen tonë edhe në nivele të larta. Kemi guxuar dhe kemi ngritur akuza ndaj zyrtarëve të lartë duke dashur të japim mesazh që fenomene të tilla nuk do tolerohen, janë ngritur akuza edhe në nivele të ulëta. Nuk më pëlqen të bëj kreun e institucionit që  hedh fajin në institucione të tjera. Gjyqësori na ka ulur agresivitetin ndaj korrupsionit ose rezultatet që duam të vjelin, kemi ngritur akuza dhe nuk kemi marrë produktin final me vendim ndëshkimi, kjo është situatë reale”- tha ajo.

Ajo ka përmendur tre cështjet ndaj zyrtarëve të lartë, dy për shpërdorim detyre dhe tjetra  për korrupsion, që nuk janë dhënë në favor të akuzave. Për to, Ina Rama ka deklaruar se kanë qenë vendimmarrje të gabuara, për të cilat Prokuroria nuk ka mundësi ankimi.

© Panorama.al

Te lidhura