Gjyqësori, Arvizu: Barazi, transparencë, pavarësi dhe kufizim imuniteti

May 14, 2012 | 10:03

TIRANË- Ambasadori i SHBA-së në vendin tonë, Aleksandër Arvizu theksoi sot se celësi i shtetit të së drejtës është një gjyqësor që siguron barazi para ligjit, transparencë, që është i pavarur ndaj cdo interesi apo presioni dhe lejon hetimin e gjyqtarëve dhe zyrtarëve të lartë.

Duke folur në konferencën e kryetare të gjykatave të larta të Evropës Qendrore e Lindore që mbahet në Tiranë, Arvizu theksoi se përgjegjësia e përbashkët e gjithë gjyqtarëve në botë është të ofrojnë drejtësi efektive për qytetarët.

Arvizu ka numëruar pikat e një drejtësie efektive. “Drejtësia me barazi. Të gjithë të trajtohen me barazi, pavarësisht lidhjes politike, pasurisë, racës e cdo gjë tjetër. Duhet një proces i rregullt ligjor në të cilin ligji është i qartë dhe gjithnjë zbatohet me përpikmëri.  Që drejtësia të jetë efektive qytetarët duhet të besojnë se sistemi është mënyra më e mirë për të zgjidhur problemet mes tyre”- tha Arvizu.

Sipas tij, pikë e rëndësishme është transparenca dhe pavarësia e gjyqësorit. “Duhet një sistem i lirë prej ndikimit politik, ndaj ky duhet theksuar shpesh. Pavarësia kërkon integritet personal, nevojat që secili gjyqtar të qëndrojë mbi interesat, partë dhe presionit të miqve. Dhe së fundi, theksoj se në Shqipëri, gjyqtarët, parlamentarët gëzojnë imunitet shumë të gjerë, jo vetëm prej ndjekjes penale, por edhe të qenit i hetuar. Nuk duhet të jenë mbi ligjin, vecanërisht ligjin penal”- tha ambasadori.

 

© Panorama.al

Te lidhura