Gjykatat e “falën” dy herë Aldo Hoxhën

Aug 12, 2012 | 13:58

TIRANE – Ndonëse në një moshë të re, Aldo Hoxha, i akuzuar për vrasjen e Fatbardha Tafajt, ka pasur që nga viti 2007 një raport problematik me policinë. Ngjarja e parë për të cilën ai u akuzua ka ndodhur në datën 3 nëntor 2007, rreth orës 02:30, kur Aldo Hoxha dhe një person tjetër kanë kaluar avllinë e banesës së shtetasit U. P. në rrugën “Jordan Misja”, ku do vidhnin disa materiale alumini. Hajdutët janë pikasur nga një i afërm i të zotit të shtëpisë, që ka nisur të bërtasë duke i trembur autorët e ngjarjes, të cilët ikën menjëherë duke kaluar mbrapsht murin rrethues të banesës. Njëri autor i ngjarjes u kap që atë natë, ndërsa Aldo Hoxha u kap më pas. Ndonëse u akuzua për tentativë grabitjeje në banesë, ai pranoi vetëm se do të grabiste material duralumini dhe për këtë arsye, gjykata e shpalli të pafajshëm duke qenë se oficeri i Policisë që ishte marrë me çështjen në atë kohë, sipas Gjykatës, e kishte pyetur adoleshentin pa praninë e avokatit. Ngjarja tjetër për të cilën është akuzuar Aldo Hoxha ka ndodhur më 27 qershor 2011, rreth orës 22:30, në zonën e ish- Fushës së Aviacionit, aty ku ai akuzohet se ka vrarë edhe Fatbardha Tafajn. Në qershor 2011 aty ka pasur një konflikt me armë, ndërsa Policia e Shtetit ka identifikuar Aldo Hoxhën si personi që mbante armë zjarri pa leje dhe që kishte qëlluar me këtë armë në konfliktin e ndodhur në këtë zonë. Aldo Hoxha është kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë së Shtetit, pasi ai ishte larguar nga vendi i ngjarjes. Pas vrapimit rreth 300 metra, ai ka tentuar të hedhë armën, por është vënë në pranga dhe kallashnikovi është sekuestruar. Duke qenë se i riu nuk iu përgjigj thirrjes për dorëzim, policia vendosi kryerjen e ekspertimit teknik e balistik të armës së sekuestruar, ku rezultoi se arma e Aldo Hoxhës kishte kryer qitjen. Ai kishte pasur një konflikt me dy persona në moshë të re, banorë të zonës së Fushës së Aviacionit. Mosmarrëveshja kishte ndodhur për një femër, ndërsa në konflikt Aldo Hoxha qëlloi më armë. Për këtë ai u arrestua më 28 qershor 2011 dhe në datën 19 dhjetor 2011 u dënua me një vit burg për akuzat e armëmbajtjes pa leje dhe prishjes së qetësisë publike, duke përfituar uljen e një të tretës së dënimit nga gjykimi i shkurtuar. Një vit më pas, në fund të qershorit 2012, Aldo Hoxha u la i lirë pasi përfundoi dënimin. Veç ngjarjeve për të cilat është dënuar, mësohet se Aldo Hoxha ishte në hetim policor edhe për disa vjedhje e grabitje të tjera.

Ekzekutori, tri ditë i heshtur në polici, nuk jep shpjegime

TIRANE – Policia e kryeqytetit ka shpërndarë dje fotografinë e 20-vjeçarit të dyshuar për vrasjen e Fatbardha Tafajt, në të cilën Aldo Hoxha duket sikur qëndron gjithë përtesë e pak i kërrusur para aparatit fotografik. Hetuesit e konsiderojnë tip të mbyllur të riun që nuk kishte thënë asnjë fjalë të vetme për çfarë akuzohej, edhe pse kishte plot 72 orë që mbahej në ambientet e Policisë. Të njëjtin qëndrim të heshtur i riu ka mbajtur edhe ditën e djeshme, kur mbi bazën e provave të mbledhura nga policia, prokurori i gatshëm i Tiranës lëshoi urdhrin e ndalimit. Sipas burimeve nga hetimi i çështjes, mësohet se 20- vjeçari, edhe pasi i është njoftuar urdhri i ndalimit, nuk ka preferuar të japë shpjegime, ndërkohë që në orët e mbrëmjes është marrë në pyetje në lidhje me akuzën e ngritur ndaj tij. Policia e kryeqytetit deklaroi mbrëmjen e 7 gushtit se do të shpërblehej me 10 mijë euro kushdo që jepte informacione të vlefshme që çonin në arrestimin e autorit të vrasjes së Fatbardha Tafajt. Krimi i rëndë ndodhi mbrëmje e pesë ditëve më parë në rrugën dytësore të zonës së ish-Fushës së Aviacionit në Tiranë. Viktima e ngjarjes, Fatbardha Tafaj, së bashku me të motrën Lumturie Gjana, po ecnin nga brendësia e lagjes së banuar për tek ish-Fusha e Aviacionit për të nxjerrë fëmijët që të luanin. Teksa gratë mbanin përdore fëmijët e tyre, në pjesën ku përfundon rruga dytësore duke dalë te fusha, një motor iu afrua atyre dhe njëri prej personave bëri disa tentativa për t’i hequr nga qafa varësen e floririt Fatbardha Tafajt. Ajo reagoi duke qëlluar me çantë autorin e ngjarjes e më pas duke u përleshur me të teksa bërtiste. Reagim fizik pati edhe Lumturie Gjana, e cila u mundua të mbronte të motrën. Nga sulmi i autorit të ngjarjes gjeti vdekjen 37-vjeçarja Fatbardha Tafaj dhe mbeti e plagosur lehtë motra e saj, Lumturie Gjana, 38 vjeçe. Pas ngjarjes, Policia tha se viktima, së bashku me motrën dhe dy fëmijët, kanë qenë duke ecur në rrugën dytësorë të ish-Fushës së Aviacionit, ku dy shtetas, të cilët po qarkullonin me motor, kanë tentuar për t’i vjedhur bizhuteritë. “Viktima dhe motra e saj kanë bërë rezistencë me autorët, të cilët më pas e kanë goditur me armë të ftohtë, thikë, 37-vjeçaren, duke gjetur vdekjen e menjëhershme, ndërsa kanë plagosur lehtë motrën e saj”, tha Policia. Sipas saj, autorët ikën me motor në thellësi të zonës. Ngjarja pasoi me një aksion masiv në kryeqytet, ku u verifikuan mbi 150 persona, ndërsa u ndaluan mbi 100 motorë për të parë nëse përputheshin me mjetin e përdorur në vrasjen e Fatbardha Tafajt.

 

© Panorama.al

Te lidhura