
UPDATE- Minatorët e Bulqizës kanë hyrë sot në ditën e 26-të të grevës së urisë, ndërsa ende nuk ka shenja të një marrëveshje mes tyre dhe kompanisë ACR.
Kjo e fundit një ditë më parë propozoi një memorandum mirëkuptimi, i cili u hodh poshtë menjëherë nga kreu i Konfederatës, Kol Nikolli.
Minatorë dhe familjarë kanë bllokuar ditën e djeshme rrugën kombëtare Tiranë – Peshkopi, ndërsa janë konfrontuar edhe me policinë.
Gjykata: Të nxirren. Minatorët: Do përmbytemi
Minatorët grevistë kërcënuan se nëse policia do të tentojë t’i nxjerrë pa dëshirën e tyre nga greva, atëherë ata do të hapin tubacionet duke rrezikuar jetën.
Kërcënimi i minatorëve erdhi si përgjigje, pas apelit të ministrisë së Ekonomisë dhe Energjetikës për zbatimin e vendimit të gjykatës së Dibrës, për ndërprerjen e grevës së urisë së minatorëve nisur këtu e 25 ditë më parë.
Minatorët shprehen se ata do të hapin tubacionet dhe do të përmbyten përpara se policia t’i ketë mbërritur ata.
Sipas vendimit të gjykatës së Dibrës, ndërprerja e punës në minierë ka sjellë rreziqe serioze për jetën dhe shëndetin e minatorëve e bashkë me këtë edhe dëme të shumta ekonomike në drejtim të shtetit.
Për këtë gjykata kërkon ndërprerjen e grevës dhe daljen e minatorëve jashtë ambienteve ku janë ngujuar. Nga ana e saj, METE i kërkon strukturave përgjegjëse zbatimin e vendimit të gjykatës së rrethit gjyqësor Dibër dhe të lejohen specialistët të hyjnë në minierë për të bërë vlerësimin e dëmeve që janë shkaktuar.
Mësohet se bllokimi i punës bëhet shkak për shembje të punimeve minerare dhe shkatërrimin e makinerive të instatuala, që llogariten me një vlerë të madhe.
© Panorama.al











