
Selvi Beçaj, vajza e kryetares së Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, fitoi dje gjyqin kundër Ministrisë së Jashtme. Gjykata e Tiranës rrëzoi dje si të paligjshëm shkarkimin nga detyra të diplomates në Vjenë, Austri, për paditësen Beçaj. Trupi gjykues i dha të drejtë pretendimeve të Beçajt, sipas së cilës, urdhri për shkarkimin e saj nga puna në janar të këtij viti, i firmosur nga ministri Edmond Haxhinasto, ishte i padrejtë. Në vendimin e saj, gjykata urdhëron anulimin e këtij urdhri dhe rikthimin e paditëses Beçaj në pozicionin e mëparshëm të diplomates. Vendimi u shpall nga gjyqtarja Elda Vrioni, që shqyrtoi kërkesë-padinë e Beçajt në Gjykatën e Tiranës. Sipas këtij vendimi, i cili është i ankimueshëm në Apel, Selvi Beçaj fiton të drejtën për t’u rikthyer në detyrën e sekretares së parë në Misionin e Përhershëm të Republikës së Shqipërisë pranë OSBE, Vjenë. Beçaj u shkarkua nga detyra e diplomates në zbatim të një urdhri të ministrit të Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, më 24 janar 2012. Gjatë kësaj kohe, paditësja Beçaj kishte marrë lejen e lindjes dhe nuk ishte paraqitur për një kohë të konsiderueshme në pozicionin e punës. Shkarkimi i saj nga puna u vendos pak ditë pasi Gjykata e Lartë u shpreh në lidhje me akuzat ndaj ish-zv.kryeministrit Ilir Meta, ku në videon e paraqitur si provë nga Prokuroria përmendej emri i Beçajt.
VENDIMI

Pas shtatë seancash gjyqësore, Gjykata e Tiranës i dha fund shqyrtimit të padisë së Selvi Beçajt kundër Ministrisë së Jashtme. Në verdiktin përfundimtar, gjykata shprehej se kishte pranuar pjesërisht padinë. “Pranimin pjesërisht të padisë së paditëses Selvi Beçaj. Anulimin e urdhrit nr.21, datë 24.01.2012 të ministrit të Punëve të Jashtme ‘Për lirim nga detyra’ dhe kthimin në detyrën e sekretares së parë në Misionin e Përhershëm të Republikës së Shqipërisë pranë OSBE, Vjenë, të paditëses Selvi Beçaj. Dhënien e këtij vendimi me ekzekutim të përkohshëm”, thuhej në vendimin e Gjykatës. Në të njëjtin vendim, gjykata vendosi rrëzimin e padisë së Beçajt, për pjesën ku ajo kërkonte pezullimin e urdhrit të shkarkimit, të firmosur nga Haxhinasto, deri në përfundim të gjykimit të çështjes. “Rrëzimin e padisë për kërkimin e pezullimit të zbatimit të aktit administrativ”, thuhej në vendim. Arsyetimi i plotë i vendimit të gjykatës për padinë e Beçajt do të bëhet i ditur pas zbardhjes së plotë të tij. Kërkesë-padia, ku palë paditës ishte Selvi Beçaj, vajza e kryegjyqtares së Gjykatës së Lartë dhe palë e paditur Ministria e Jashtme, u regjistrua më 27 shkurt 2012 në Gjykatën e Tiranës.
PADIA
“Pavlefshmërinë e urdhrit nr. 21, datë 24.01.2012 të ministrit të Punëve të Jashtme ‘Për lirim nga detyra’ si akt administrativ i dhënë në kundërshtim me ligjin. Rregullimin e pasojave që vijnë nga ky akt i kundërligjshëm, duke u kthyer në detyrën e sekretares së parë në Misionin e Përhershëm të RSH pranë OSBE, Vjenë, si dhe pezullim i zbatimit të urdhrit të mësipërm deri në përfundimin e gjykimit të çështjes”, thuhej në objektin e padisë së Beçajt.
ARMAND BAJRAMI
© Panorama.al











