
Prokuroria kërkoi zëvendësim të masës së arrestit në shtëpi me burg
Ish-kreu i Gardës do të qëndrojë në arrest shtëpie.
Ndrea Prendi, ish-kreu i Gardës, i akuzuari i prokurorisë për vrasjen e Faik Myrtajt më 21 janar 2011, do të vijojë të qëndrojë në “arrest shtëpie” të paktën deri më 8 shkurt. Gjykata e Tiranës nuk pranoi dje kërkesën e organit të akuzës për zëvendësimin e masës aktuale të Prendit me “arrest me burg”. Prokuroria paraqiti disa prova të reja para gjykatës, duke pretenduar me to nevojën e një mase më të rëndë për Prendin. Gjykata e rrëzoi formalisht këtë kërkesë. Sipas gjyqtarit të çështjes, ai ishte shprehur për masën e sigurisë dhe provat e reja duhet të paraqiten në Apel, ku pritet të shqyrtohet ankimi i prokurorisë mbi “arrestin e shtëpisë” të Prendit.
SEANCA
Në një seancë me dyer të mbyllura, gjykata u njoh dje me pretendimet e prokurorisë për “kyçjen” në qeli të Ndrea Prendit. Vetë Prendi nuk ishte i pranishëm në seancë. Burime pranë Gjykatës së Tiranës bënë të ditur se përfaqësuesit e prokurorisë paraqitën para gjykatës një kopje e regjistrit të armëve të Gardës, ku pasqyrohej me numër arma që zotërohej nga Ndrea Prendi. Po sipas burimeve, nga ana e prokurorëve është paraqitur edhe një akt që tregon se Prendi ka tërhequr një tytë pistolete pak kohë pasi kishte ndodhur demonstrata e 21 janarit 2011. Sipas prokurorisë, kjo provë rëndon pozitat e Prendit, referuar faktit që ekspertiza në laboratorët e FBI-së provoi se Ndrea Prendi kishte ndërruar tytën e pistoletës për të fshehur ngjarjen. Njëkohësisht, prokurorët kanë ripohuar edhe ekspertizën balistike të FBI-së, se plumbi që ka qëllua demonstruesin Faik Myrtaj ka dalë nga arma e Prendit. Nga ana e tij, përfaqësuesi i të dyshuarit Prendi në seancë, avokati Genc Gjokutaj, u mësua t’i ketë kërkuar gjykatës që masa e sigurisë ndaj klientit të tij të shqyrtohet nga Gjykata e Apelit.
ZËVENDËSIMI
Kërkesa e prokurorisë për zëvendësimin e masës së sigurisë ndaj Prendit u formësua pas sigurimit të provave të reja nga ana e hetuesve. Pasi “shtinë” në dorë një akt që provonte se pak pas 21 janarit nga ana e Prendit ishte tërhequr një tytë pistolete në magazinën e armëve të Gardës, përfaqësuesit e akuzës kërkuan ndryshimin e masës. Sipas tyre, kjo kërkesë shtrohej para faktit se kishin ndryshuar kushtet e provueshmërisë së dyshimeve ndaj Prendit. Njëkohësisht, masa shtrënguese “arrest me burg” nga ana e akuzës u pretendua edhe prej faktit se vepra penale për të cilën akuzohet Prendi parashikon dënim me shumë vite burg.
Akuza
Prokuroria e Tiranës e akuzon Ndrea Prendin se ka kryer vrasjen me dashje të protestuesit Faik Myrtaj më 21 janar 2011. Sipas Prokurorisë, akuza e ngritur ndaj kreut të Gardës bazohet në ekspertizën e kryer nga FBI. Kjo ekspertizë ka gjetur se Ndrea Prendi ka qëlluar 11 herë në drejtim të turmës, ndërsa pesë predha janë gjetur. Katër prej tyre kishin përfunduar në zyrat e UNHCR-së përballë Kryeministrisë dhe një tjetër plumb kishte përfunduar në trupin e demonstruesit nga Fieri.
Tre të akuzuarit, Apeli shqyrton masat më 8 shkurt
TIRANE – “Fati” i masave të sigurisë në Apel ndaj tre të akuzuarve të dosjes së 21 janarit do të vendoset më 8 dhe 10 shkurt. Gjykata e Apelit Tiranë shpalli dje datat kur do të shqyrtojë ankimet e prokurorisë dhe të avokatëve për ish-kreun e Gardës, Ndrea Prendi, shoferin e tij, Margarit Kume dhe specialistin e IT-së të Kryeministrisë, Armando Kasa. Burime zyrtare të Gjykatës së Apelit bënë të ditur dje se ish-kreu i Gardës do të jetë i pari nga tre të dyshuarit që do të përballet me një treshe gjyqtarësh të Apelit, të kryesuar nga gjyqtari Artan Broci. Në orën 10:45 të datës 8 shkurt 2012 është caktuar shqyrtimi i ankimit të prokurorisë për vendimin e caktimit të masës së sigurisë “arrest shtëpie” ndaj tij nga Gjykata e Tiranës. Vetëm pak minuta më vonë, në 11:00 të së njëjtës datë, është caktuar seanca për shoferin e tij, Margarit Kume. Për të dyshuarin e tretë, Armando Kasa, Apeli ka caktuar datën 10 shkurt, ora 09:00 për shqyrtimin e ankimit të palëve për masën e sigurisë së tij. Në ankimet e depozituara në Gjykatën e Apelit, prokuroria kërkon caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” për tre të akuzuarit. Sipas prokurorisë, në vendimin e saj Shkalla e Parë ka anashkaluar rrezikshmërinë tepër të madhe që paraqesin veprimet e kryera nga personat nën hetim.
ARMAND BAJRAMI
© Panorama.al











