DURRES – Rikthehen në dhomat e izolimit nëntë të arrestuarit e operacionit policor “Kolaudimi 2”. Të prangosurit për “korrupsion pasiv” dhe “falsifikim dokumentesh” kanë dalë përpara togave të zeza, ku dhe kanë mësuar fatin e tyre. Ndonëse të akuzuarit nuk kanë pranuar akuzat që rëndojnë mbi ta, Gjykata e Durrësit ka vendosur që ata të qëndrojnë në burg. Gjatë procesit gjyqësor të mbajtur në Gjykatën e Durrësit, asnjë prej nëntë të arrestuarve nuk ka pranuar akuzat që rëndojnë mbi ta, duke u justifikuar me faktin që pozicionet e tyre të punës nuk kishin të bënin fare me pagesat. Por, me gjithë pretendimin e të akuzuarve, trupi gjykues i kryesuar nga Kastriot Selita, gjatë procesit të vleftësimit të arrestimit dhe caktimit të masës së sigurisë vendosi të lërë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për Eugen Gjyzelin, administrator i sistemit informatik në Drejtorinë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor në Durrës; Albert Saraçin, Lipion Gocin dhe Artur Xhepmetën, me detyra inxhinierë mekanikë të kolaudimit; si dhe agjentët e kompanive të sigurimeve: Idriz Hoxha, Indrit Dervishi, Arben Ndreka, Ilir Nelaj dhe Enri Dervishi. Për shkak të numrit të madh të akuzuarve, gjyqtari Selita vendosi që të zhvilloheshin dy seanca, duke i ndarë edhe të akuzuarit në dy grupe. Nëntë të akuzuarit, që pretendonin se do të liheshin të lirë në sallën e gjyqit, nuk e kanë pritur mirë vendimin e gjykatës dhe kanë dalë të zhgënjyer nga salla e gjyqit, ku më pas u rikthyen në ambientet e dhomave të paraburgimit. Në sallën e gjyqit, të pranishëm, përveç avokatëve që të arrestuarit kishin pajtuar, ishin edhe familjarët e tyre, të cilët për shkak të vendeve të limituara në sallë kanë qëndruar në korridorin e Gjykatës dhe kanë pritur me shumë interes zhvillimet që ndodhnin brenda në sallë. l.m











