Gjykata: Pesë arsye pse dhamë pafajësi për Rezarta Shkurtën

Jul 6, 2012 | 13:39
Rozana Radi dhe Rezarta Shkurta

TIRANE – Zbardhen arsyet që i dhanë pafajësinë këngëtares Rezarta Shkurta për akuzën e “plagosjes së lehtë me dashje” të Rozana Radit. Gjykata e Tiranës zbardhi vendimin e 21 qershorit, sipas të cilit, këngëtarja Shkurta u deklarua e pafajshme për episodin e dhunshëm të 6 dhjetorit 2010, ku ajo u përlesh me Rozana Radin. Në arsyetimin e tij, gjyqtari Gerd Hoxha radhiste pesë arsye përse Rezarta Shkurta duhej të deklarohej e pafajshme. Sipas Gjykatës, akuza në ngarkim të së pandehurës Rezarta Shkurta nuk u arrit të provohej dhe se nga provat e grumbulluara nga vetë organi i akuzës dhe gjatë gjykimit rezultoi se fakti për të cilin akuzohet e pandehura Rezarta Shkurta nuk përbën vepër penale. “Nga provat e grumbulluara gjatë gjykimit u arrit të provohej jo vetëm që, mbi vërtetësinë e dëshmisë së të dëmtuarës ekziston një shkallë e lartë dyshimi, por edhe se ka qenë e dëmtuara Rozana Radi personi i parë që e ka sharë dhe më pas goditur të pandehurën Rezarta Shkurta, e më pas kjo i është kundërpërgjigjur. Veprimet e dhunshme të shtetases Rozana Radi ndaj së pandehurës Rezarta Shkurta nuk kanë reshtur edhe kur në vendngjarje kanë shkuar dy punonjës policie. Për pasojë, Gjykata krijon bindjen se e pandehura Rezarta Shkurta ka kundërvepruar për të mbrojtur veten e saj nga një sulm i vërtetë, real dhe i çastit i ndërmarrë nga shtetasja Rozana Radi. Intensiteti i kundër-reagimit të së pandehurës ka qenë i njëjtë dhe në përputhje me sulmin e ndërmarrë nga shtetasja Rozana Radi, pasi edhe mënyra dhe mjetet e përdorura (vetëm me duar e këmbë) kanë qenë të njëjta me mjetet dhe mënyrën e sulmit të ndërmarrë nga shtetasja Rozana Radi”, arsyetohej në vendimin e Gjykatës.                         ar.ba

Arsyetimi i gjykates
. Dy punonjësit e Policisë dhe Ermal Hoxha dëshmuan në proces se Rozana vinte era alkool pas ngjarjes.

. Dëshmitarja A. Radi nuk ka qenë dëshmitare okulare, por ka mësuar nga e dëmtuara Rozana Radi se personi që kishte goditur kishte qenë shtetasja Rezarta Shkurta.

. Prokuroria e mbështeti akuzën në një provë të vetme: thëniet Rozana Radit. Ndonëse ekziston një raport mjekoligjor, Gjykata arsyeton se kjo provë harmonizohet vetëm me dëshminë e Rozana Radit, e cila është e dyshueshme.

. Gjatë gjykimit u arrit të provohej që ka qenë e dëmtuara Rozana Radi personi i parë që e ka sharë dhe më pas goditur të pandehurën Rezarta Shkurta, dhe  më pas kjo i është kundërpërgjigjur.

© Panorama.al

Te lidhura