
Një gjykatë në SHBA ka liruar nga akuzat për sulm seksual ish-kreun e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Dominik Shtraus Kan, pas dyshimeve mbi kredibilitetin e ‘viktimës’, Nafisatou Diallo.
Edhe prokurorët pranuan se mospërputhjet në dëshminë e saj “dëmtojnë shanset e tyre për ndjekjen penale të rastit”. Diallo, 32 vjeç, kameriere në hotelin ‘Sofitel’ në Nju Jork, e ka akuzuar Shtraus Kan se ka bërë përpjekje ta dhunojë kur ajo pastronte dhomën e tij të hotelit. Kan u arrestua nga policia amerikane në avion, para se të nisej për në Francë. Ai u mbajt në një burg famëkeq të Nju Jorkut. Pak ditë më pas dha dorëheqjen nga posti i shefit të FMN-së. Më pas, gjykata pranoi ta lërë në arrest shtëpie, deri në zhvillimin e procesit. Ngjarja ndodhi në kohën kur emri i Shtraus Kanit përflitej si ai i Presidentit të ardhshëm të Francës në zgjedhjet e reja presidenciale, ku konsiderohej se ai do ta mundte bindshëm Nikolas Sarkozinë. Çështja e dhunimit seksual ia ka eliminuar të gjitha shanset për një hap të tillë. Pastruesja e hotelit, e cila akuzoi Dominik Shtraus Kanin ka rënë në dysheme duke qarë në mënyrë histerike, kur u përball me një rrjet gënjeshtrash që ajo u kishte thënë prokurorëve. Zyra e prokurorisë së Manhatanit i ka kërkuar gjyqtarit që ta mbyllë çështjen seksuale kundër Kan. Diallo në fund pranoi se kishte mashtruar në detaje duke u justifikuar se ‘Unë nuk ishte nën betim’. Shtraus Kan, 62 vjeç, tani u la i lirë dhe mund të kthehet në Francë, madje edhe të kandidojë për presidencën e vendit. Prokurorët thanë se Nafisatou Diallo ka sajuar një histori gënjeshtrash, që e bën të pamundur për një juri ta besojë. Në dhomën 3 mijë dollarëshe të hotelit ku ka qëndruar Shtraus Kan, e ku supozohet se sulmoi Diallon, janë gjetur gjurmë sperme të 4 apo 7 burrave të tjerë. Nga katër njollat u gjetën mbi tapetin e dhomës në ‘Sofitel’, tre u përkisnin tre burrave të ndryshëm. Sipas ekspertëve, njollat nuk tregonin prova që ndonjë person tjetër ishte i pranishëm gjatë incidentit. Kështu, rrethanat e cilësuan të pabazuar gjetjen e mbetjeve të ADNsë. Gjatë një takimi me Diallon, prokurorët kishin përpiluar një raport ‘bombë’ mbi mashtrimet e saj. ‘Pothuajse në çdo intervistë substanciale me prokurorët ajo nuk ka qenë e sinqertë, për çështje të mëdha dhe të vogla, shumë kanë të bëjnë me prejardhjen e saj dhe disa të tjera me rrethanat e incidentit në vetvete’, thuhet në dokument. Aty thuhet se akuzat rrëzojnë vetveten. ‘Ne nuk kemi besim se ankuesi do të thotë të vërtetën mbi këtë çështje, sikur ajo të thirrej si dëshmitare në gjyq’, thekson raporti. Kur ajo u tha prokurorëve se ishte përdhunuar nga një grup ushtarësh në Guinea, vendlindja e saj, ajo mbuloi fytyrën me krahë në një tavolinë që kishte para, ndërsa tregonte se vajza e saj dyvjeçare iu mor nga krahët dhe u hodh në dysheme. Më pas, pastruesja e hotelit pranoi se ajo nuk ishte përdhunuar nga ushtarët dhe e kishte sajuar historinë për të ndihmuar të fituar azil në SHBA. Ajo nuk ka justifikuar as 60000 dollarët e hedhura në llogarinë e saj nga numra të ndryshëm llogarish në katër shtete të ndryshme, duke thënë se ato ia kishte dhënë i fejuari i saj, që është në burgun e Arizonës. Avokati i Diallos, Kenet Tompson, ka bërë peticion.











