Gjykata Kushtetuese në Kosovë e mbështeti vendimin për daljen e vendit nga mbikëqyrja e ndërkombëtarëve, duke miratuar 21 nga 22 amendamentet e propozuara nga qeveria “Thaçi” për fundin e “pavarësisë së mbikëqyrur”. Sipas “KosovaTimes”, gjykata më e lartë në Kosovë ka aprovuar edhe heqjen e 20 vendeve të rezervuara për pakicat në Parlament. Pjesa më e madhe e amendamenteve kanë të bëjnë me ndryshimet brenda mbi Dispozitat Përfundimtare dhe Dispozitat Kalimtare. Nga 22 amendamentet, Gjykata vlerësoi se vetëm njëri nga ta, amendamenti 17, pakësonte të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. Ky amendament flet për refugjatët dhe personat e zhvendosur brenda vendit. Propozimet e qeverisë për amendamentin e Kushtetutës nuk do të parashtrohen për aprovim në Kuvend deri kur Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ISG) të vendosë për mbylljen e Zyrës Civile Ndërkombëtare dhe të shuajë postin e Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar të cilin e mban Pieter Feith, duke respektuar planin e Ahtisarit. Ky proces pritet të ndodhë në shtator të këtij viti. Sipas mediave në Kosovë, Gjykata ka pranuar eliminimin e nenit 148 të Kushtetutës, mbi rezervimin e 20 vendeve në Parlamentin e Kosovës: 10 për pakicën serbe dhe 10 për pakicat e tjera. Ndërkohë aprovimet e fundit kërkojnë që në Gjykatën Kushtetuese, të gjithë gjyqtarët (9) të jenë kosovarë dhe tre gjyqtarët ndërkombëtarë të largohen kur t’u skadojë mandati. Auditori i Përgjithshëm i Kosovës do të jetë vendor e jo si deri më tash ndërkombëtar, i emëruar nga shefi i ICO-së. Guvernatori i Bankës së Kosovës nuk ka nevojë të zgjidhet më me pëlqimin paraprak të shefit të ICO-së.
rritja ekonomike
Katër për qind pritet të jetë rritja e ekonomisë së Kosovës, sipas raportit të Bankës Botërore. Raporti flet për fundvitin 2012. “Kosova pritet të ketë rritje ekonomike më të madhe sesa të gjitha shtetet e tjera të rajonit, diku 4 për qind, ndërsa në shtetet e tjera parashikohet të jetë shumë më e ulët”, deklaroi Borko Handjiski, ekonomist për Kosovën në Bankën Botërore.
Zgjatet mandati
BE ka zgjatur me dy vite të tjera mandatin e misionit për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX. Vendimi u mor dje dhe akordon gjithashtu 111 milionë euro si fond për këtë strukturë, që do të funksionojë deri më 14 qershor të vitit 2014. “Në të ardhmen gjithmonë e më shumë do t’u kalohen përgjegjësi e pushtet autoriteteve të Kosovës”, deklaroi përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme, baronesha Katherin Ashton.











