Gjykata Kushtetuese e Bosnje e Hercegovinës e ka shpallur jokushtetuese një Ligj Zgjedhor paralel të Republikës Sërpska, entitetit serb të Bosnjës.
Në një vendim të enjten, Gjykata Kushtetuese deklaroi se ligji i kontestuar nuk është në përputhje me Kushtetutën e Bosnje e Hercegovinës e as me Ligjin Zgjedhor të saj, për shkak se kështu ligji i Republikës Sërpska do t’i merrte përsipër kompetencat që i takojnë vetëm ligjit në fjalë të Bosnjës.
Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi Ligjin Zgjedhor të Republikës Sërpska dhe erdhi në përfundim se nuk ka dispozita kushtetuese në bazë të të cilave mund të vërtetohet kushtetutshmëria e ligjit të kontestuar që u miratua nga Asambleja Parlamentare e Republikës Sërpska në fillim të këtij viti.
Në shpjegimin e vendimit, Gjykata Kushtetuese vlerësoi se bëhet fjalë për “çështje shumë serioze dhe komplekse të kushtetutshmërisë së ligjit të kontestuar zgjedhor të Republikës Sërpska”.
Ligji Zgjedhor i Republikës Sërpska parashikonte përvetësimin e kompetencave shtetërore të subjekteve në fushën e zgjedhjeve.
Kjo nënkupton se Komisioni Republikan Zgjedhor i Republikës Sërpska e merr rolin e Komisionit Qendror Zgjedhor të Bosnje e Hercegovinës në organizimin e zgjedhjeve lokale, si dhe zgjedhjet për Asamblenë Parlamentare të entitetit dhe për presidentin dhe zëvendëspresidentin e Republikës Sërpska.
Ambasada amerikane në Sarajevë e kishte quajtur antikushtetues dhe në kundërshtim me Marrëveshjen e Dejtonit krijimi i një sistemi zgjedhor paralel nga Qeveria e Republikës Sërpska.
Me Marrëveshjen e Dejtonit të vitit 1995, që i ka dhënë fund luftës në Bosnje e Hercegovinë, ky vend është ndarë në dy entitete autonome – Federata e Bosnje e Hercegovinës dhe Republika Sërpska – plus Qarku i Bërçkos, që është njësi administrative vetëqeverisëse. Të gjithë bashkë janë nën ombrellën e qeverisë federale dhe presidencës me rotacion.
Prej atëherë, entitetet nuk kanë juridiksion dhe as nuk mund të organizojnë zgjedhje në gjithë territorin e Bosnjës. Kushtetuta e Bosnje e Hercegovinës nuk u jep të drejtat entiteteve për zhvillimin e zgjedhjeve./REL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al