Gjykata: Ina Rama shkeli ligjin e Prokurorisë

Jul 1, 2012 | 11:56

Prokurorja e pergjithshme Ina Rama

Trupi gjykues: Presidenti nuk duhej të pranonte e dekretonte kërkesën e kryeprokurores për shkarkimin.

Gjykata e Lartë: Shkarkimi i Tom Dedajt, zbatim i gabuar i nenit.

Prokurorja e Përgjithshme ka shkelur hapur dispozitat e ligjit për Prokurorinë me propozimin e dërguar te Presidenti i Republikës për shkarkimin nga detyra të prokurorit Tom Dedaj në vitin 2009.
Konstatimi vjen nga vendimi i Gjykatës së Lartë dhënë për këtë rast, ku trupi gjykues, me anëtarë Besnik Ymeraj, Ardian Dvorani, Ardian Nuni, Majlinda Andrea dhe Guxim Zenelaj, theksojnë se: Kërkesa e prokurorit të Përgjithshëm duhet të mos ishte pranuar nga Presidenti i Republikës, pasi vinte në kundërshtim të hapur me dispozitën e nenit 27, pika 3, germa “b” e ligjit nr. 8737, datë 12.02.2001, “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë”. Shkelja ka të bëjë me faktin se ndonëse prokurori i shkarkuar akuzohej në raportin e kontrollit për fakte që sipas ligjit meritojnë masën e vërejtjes ose paralajmërimit, kryeprokurorja ka tejkaluar parashikimet e ligjit duke kërkuar masën ekstreme shkarkim. Vendimi i Gjykatës së Lartë, që urdhëron kthimin në punë të prokurorit Tom Dedaj, është dhënë në datën 3 nëntor 2011. Prej asaj kohe, prokurorja e Përgjithshme nuk e ka zbatuar kërkesën e Gjykatës për kthimin në punë të prokurorit të shkarkuar në mënyrë të padrejtë. Çështja e mos-ekzekutimit të vendimeve të gjykatave nga prokurorja e Përgjithshme u prek gjatë raportimit të Ina Ramës në Komisionin Parlamentar të Ligjeve. Kryetari i Komisionit, Ilir Rusmali, kishte marrë një letër ankese nga tre prokurorët, Tom Deda, Rita Gjati dhe Bardhyl Shehu. Ata kanë fituar të drejtën e kthimit në punë pasi kanë paditur prokuroren e Përgjithshme dhe gjykatat i kanë shpallur të paligjshme shkarkimet e tyre. Pasi kanë fituar të drejtën e kthimit në punë me vendime të formës së prerë, prokurorët kanë kërkuar zbatimin e këtyre vendimeve nga prokurorja e Përgjithshme. Sipas kompanisë së përmbarimit privat që ka ndjekur rastin e prokurorit Tom Deda, prokurorja e Përgjithshme jo vetëm që nuk ka zbatuar vendimin e Gjykatës, por është bërë pengesë për çuarjen e tij në vend. Për këtë arsye, në muajt e parë të këtij viti, prokurorja e Përgjithshme është gjobitur nga kompania përmbarimore, ndërsa më pas ka bërë ankim në gjykatë kundër këtij sanksioni.

Arsyetimi i Gjykatës
• Kërkesa e prokurorit të Përgjithshëm duhet të mos ishte pranuar nga Presidenti i Republikës, pasi vinte në kundërshtim të hapur me dispozitën e nenit 27, pika 3, germa “b” e ligjit nr. 8737, datë 12.02.2001, sipas të cilit:
• “Prokurori shkarkohet nga detyra… kur merret masë disiplinore sipas shkronjave “c”, “d” dhe “dh” të nenit 32 të këtij ligji”.
• Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë çmon se edhe në rast se do të ndodheshim përpara një lapsusi të bërë nga prokurori i Përgjithshëm në propozimin për shkarkim nga detyra dhe Presidenti i Republikës me dekretin nr. 6227, datë 02.09.2009, arsyetimi i Gjykatës së Apelit Tiranë, se shkeljet e konstatuara në aktin e kontrollit përbëjnë shkelje që diskreditojnë figurën e prokurorit, është i gabuar dhe vjen ndesh me një sërë qëndrimesh të Gjykatës Kushtetuese dhe Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, që lidhen me kuptimin e disiplinës në punë dhe diskreditimin e figurës së gjyqtarit.

Prokurorët që fituan gjyqet
Tom Deda, shkarkuar në vitin 2009
Rita Gjati, shkarkuar në vitin 2008
Bardhyl Shehu, shkarkuar vitin në 2009
Drini Pali, shkarkuar në vitin 2010
Dritan Gripshi, shkarkuar në vitin 2010
Ilia Bano, shkarkuar në vitin 2006

Rrotacioni
Një nga argumentet që ka përdorur prokurorja e Përgjithshme për moskthimin në punë të prokurorëve të shkarkuar që kanë fituar të drejtën e kthimit në detyrë, ka qenë zënia e vendeve organike. Prokuroria e Përgjithshme ka pretenduar se vendet organike për prokuror janë zënë në administratën e organit të akuzës duke bërë të pamundur zbatimin e vendimeve të gjykatave. Por, nga ana tjetër, Prokuroria e Përgjithshme ka propozuar te Presidenti, duke emëruar kështu, mbi 18 prokurorë rishtazi vetëm vitin e fundit.

Moisiu e Meidani: Mandati i prokurores kërkon interpretim kushtetues
Reagojnë dy ish-presidentët për mandatin e Ina Ramës

Dy ish-presidentët, Rexhep Meidani dhe Alfred Moisiu, janë të mendimit se mandati i prokurores së Përgjithshme kërkon një interpretim kushtetues. “Për këtë çështje mund t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese, për të mos krijuar konflikte. Në perceptimin e parë timin ishte që meqenëse u fiksua mandati, atje kur emërohesh, atje duhet të jetë edhe mbarimi i mandatit, por meqenëse ka filluar konflikti, zgjidhja e vetme është t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese, për të mos mbajtur të gjallë një konflikt tjetër brenda politikës shqiptare dhe brenda institucioneve të shtetit shqiptar”, u shpreh ish-presidenti Rexhep Meidani. Sipas tij, një interpretim i tillë do të shmangte konfliktin e radhës, të panevojshëm, politik. “Politika duhet të diskutojë për këtë problem. Gjykata Kushtetuese të bëjë hapin e fundit, interpretimin e fundit. Nëse ata nuk bihen dakord, duhet të ndërhyjë patjetër”, u shpreh ish-presidenti Alfred Moisiu.

TRAZHGIM SOKOLAJ

© Panorama.al

Te lidhura