Gjykata e Lartë, Qeveria shmang Presidentin

May 13, 2012 | 11:43

Ministria e Drejtësisë ka gati draftin me ndryshimet në ligjin për Gjykatën e Lartë.

Anëtari i Kolegjit Administrativ miratohet nga Kuvendi pa dekretim.

Miratimi i ligjit për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative dhe ngritjen e gjashtë gjykatave administrative do të shoqërohet dhe me ndryshimin e ligjit për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë. Në draftin e hartuar nga Ministria e Drejtësisë, dhe që pritet të diskutohet në Kuvend ditët në vijim, parashikohet një shtim i numrit të anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Konkretisht, ndryshimi që propozohet edhe nga ekspertët e misionit të EURALIUS-it kërkon që Gjykata e Lartë, nga 17 gjyqtarë që ka aktualisht, të shtohet në 19 gjyqtarë. Gjithashtu në ndryshimet që propozohen nga Ministria e Drejtësisë vihet re një anashkalimi i dekretit të Presidentit të Republikës, për gjyqtarët që do të emërohen në Kolegjin Administrativ. Nëse për gjyqtarët e Gjykatës së Lartë mandati i tyre fillon me dekret nga Presidenti, në propozimet e reja të Ministrisë së Drejtësisë, nuk ndodh më kështu. Për anëtarët e Kolegjit Administrativ, që do të ngrihet në Gjykatën e Lartë dhe që do të zgjidhë ankesat e biznesit dhe konfliktet e lindura në punë, parashikohet që emërimi dhe mandati i tyre të fillojë sapo të merret pëlqimi i Parlamentit. Pra, në këtë rast mandati fillon sapo Parlamenti të miratojë kandidaturat që do të propozohen për trupën gjykuese të Kolegjit Administrativ, që do të jetë hallka më e lartë ankimore e gjykatave administrative. Anëtarët e Kolegjit Administrativ kanë mandat të njëjtë me anëtarët e Gjykatës së Lartë, ndërsa për ta nuk kërkohet dekretimi nga Presidenti. Në nenin katër të projektligjit të ri për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë, thuhet konkretisht: “Gjyqtari i Gjykatës së Lartë emërohet nga Presidenti i Republikës, pasi është marrë më parë pëlqimi i Kuvendit. Në rastin e Kolegjit Administrativ, dekreti i emërimit, pasi është marrë më parë pëlqimi i Kuvendit, tregon që gjyqtari është emëruar në këtë kolegj”. Një ndryshim tjetër që propozohet nga Ministria e Drejtësisë, është që ndryshe nga dy kolegjet e tjera, Civil dhe Penal, që ndërrojnë gjyqtarët, trupa gjykuese e Kolegjit Administrativ do të mbetet e njëjtë. “Kryetari i Gjykatës së Lartë, pasi merr mendimin gjyqtarëve, mund t’i lëvizë ata nga një kolegj në tjetrin, për arsye të ngarkesës së punës dhe të funksionimit normal të gjykatës. Ky rregull nuk zbatohet në rastin e Kolegjit Administrativ”, thuhet në nenin 10 të drafti të ri, që pritet të miratohet në Kuvend. f.b.

Përplasja
Parlamenti ende nuk ka marrë në shqyrtim dekretin e Presidentit për Artan Zenelin si anëtar i Gjykatës së Lartë. Ky propozim është depozituar në Kuvend që në datën 1 shkurt dhe ligjvënësit e djathtë, pas tre muajsh, ende nuk e kanë përfshirë në kalendarin e punimeve. Përplasja e Presidentit Topi dhe Parlamentit ka nisur për shkak se maxhoranca ka kërkuar që kreu i shtetit të konsultohet me Legjislativin për çdo dekret që do të propozojë për Gjyqësorin, në të kundërt, ato nuk do të pranohen si ligjore.

Ndryshimet në ligjin e Gjykatës së Lartë
Neni 1

Përbërja e Gjykatës së lartë
Ishte
Gjykata e Lartë përbëhet nga 17 gjyqtarë.
Bëhet
Gjykata e Lartë përbëhet nga 19 gjyqtarë(siç propozon EURALIUS)
Neni 3
Kushtet për t’u emëruar gjyqtarë i Gjykatës së Lartë
Gjyqtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga radhët e gjyqtarëve me vjetërsi, jo më pak se 10 vjet, ose nga radhët e juristëve të shquar, që e kanë ushtruar këtë profesion jo më pak se 15 vjet.
Neni 4
Procedura e emërimit të gjyqtarit të Gjykatës së Lartë
Gjyqtari i Gjykatës së Lartë emërohet nga Presidenti i Republikës, pasi është marrë më parë pëlqimi i Kuvendit.
Bëhet për Kolegjin
Në rastin e Kolegjit Administrativ, dekreti i emërimit, pasi është marrë më parë pëlqimi i Kuvendit, tregon që gjyqtari është emëruar në këtë Kolegj.
Neni 5
Fillimi i mandatit
Mandati i gjyqtarit të Gjykatës së Lartë fillon me hyrjen në fuqi të dekretit të Presidentit për emërimin e tij.
Mandati i kryetarit të Gjykatës së Lartë llogaritet brenda mandatit të gjyqtarit të kësaj gjykate.
Neni 10
Kolegjet
Gjykata e Lartë organizohet në Kolegjin Civil, Kolegjin Administrativ dhe Kolegjin Penal.
Çështjet penale ushtarake gjykohen nga Kolegji Penal. Çështjet me karakter administrativ dhe të punës gjykohen nga Kolegji Administrativ. Ndërsa çështjet me karakter tregtar, familjar etj. gjykohen nga Kolegji Civil.
Kryetari i Gjykatës së Lartë, pasi merr mendimin e gjyqtarëve, mund t’i lëvizë ata nga një kolegj në tjetrin, për arsye të ngarkesës së punës dhe të funksionimit normal të gjykatës.
Ky rregull nuk zbatohet në rastin e Kolegjit Administrativ.

© Panorama.al

Te lidhura