
Gjykata për Krime Lufte në ish-Jugosllavi e la të lirë Ramush Haradinajn, deri në kohën kur të merret vendimi lidhur me aktakuzën ndaj tij. Vendimi nëse Haradinaj do të dënohet ose jo merret më 25 dhe 26 qershor, por gjasat janë pozitive për shkak të këtij vendimi-paralajmërim. As prokuroria e Hagës nuk e ka kundërshtuar vendimin për lirimin e Haradinajt nga paraburgimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Holandë. Ish-kryeministri i Kosovës u gjykua për herë të dytë në Hagë për akuzat për krime lufte gjatë trazirave me Serbinë në vitet ’90, pasi në procesin e parë gjyqësor pretendimet e Prokurorisë se kishte dëshmitarë rezultuan të pavërteta. Më pas, Haradinaj dhe mbështetësit e tij u akuzuan nga pala akuzuese se kërcënonin dëshmitarët, por kjo nuk u provua kurrë. Haradinaj mund të mbërrijë në Kosovë në fundjavë. Gjykata e Hagës ka vendosur që deklaratat përfundimtare të palës akuzuese dhe asaj mbrojtëse të kësaj çështjeje të dorëzohen më 11 qershor dhe vendimi të merret dy javë më pas. Lajmi u publikua në mediat më të mëdha të Kosovës nga “burime të besueshme” të tyre, por as zyrtarët e Aleancës për Ardhmëri të Kosovës e as ekipi i avokatëve mbrojtës të Haradinajt nuk kanë dashur të komentojnë lajmin për lirimin e tij. Haradinaj po gjykohet bashkë me dy bashkëluftëtarët e tij në UÇK, Idriz Balaj dhe Lahi Brahimaj, proces që pritet të përfundojë diku nga fillimi i gushtit. Të tre akuzohen për vrasje, torturë dhe trajtim mizor, që përfshihen në krimet e luftës. Haradinaj, ish-kryeministër i Kosovës për vetëm 100 ditë para se të vetëdorëzohej në Hagë pas daljes së mandatit, u shpall i pafajshëm në prill të vitit 2008. Por apeli, proces që zgjati dy vjet, vendosi që në gjyqin e parë nuk ishte bërë mjaftueshëm përpjekje për të siguruar dëshminë e dy dëshmitarëve kyçë të kësaj çështjeje. Në vitin 2010, Haradinaj, Balaj e Brahimaj u arrestuan sërish për një rigjykim të pjesshëm në Hagë, duke shënuar rastin e parë të këtij lloji në historinë 19-vjeçare të Gjykatës së Hagës.











