Gjykata e Apelit kthen në rigjykim rastin e vrasjes së Marigona Osmanit, çfarë do të ndodhë me dy autorët

Feb 23, 2024 | 17:36
SHPËRNDAJE

Gjykata e Apelit ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Ferizajt kundër Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut, që ishin dënuar për vrasjen e 18-vjeçares, Marigona Osmani, duke e kthyer rastin në rigjykim.

dARDAN

Në gusht të vitit 2023, Krivaqa ishte dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Marigona Osmanit, ndërkaq Sejdiu ishte dënuar me 15 vjet burgim për ndihmë në kryerjen e veprës “vrasje e rëndë”.

Por, Apeli ka miratuar ankesat e avokatëve mbrojtës për aktgjykimin dhe tha se ka pasur shkelje procedurale gjatë gjykimit, duke rikthyer rastin në rigjykim, ndërkaq të akuzuarit do të vazhdojnë të qëndrojnë në paraburgim.

“Kolegji i shkallës së dytë, ka ardhur në përfundim se në këtë çështje penale, aktgjykimi përmban shkelje esenciale nga dispozitat e procedurës penale, pasi që mungojnë arsyet për faktet vendimtare të cilat janë thelbësore për vërtetimin e përgjegjësisë penale të akuzuarve, për çka gjykata e shkallë së dytë ka dhënë udhëzimet konkretet të cilat do të duhet të eliminohen në fazën e rigjykimit, nga gjykata e shkallës se parë”, u tha në njoftim.

Sa i përket dënimit të Sejdiut, Apeli tha se ka vlerësuar se nuk ka pasur të dhëna të qarta dhe konkrete “nëse veprimet e të akuzuari janë në pajtueshmëri me tiparet e veprës penale për të cilën i njëjti është shpallur fajtor”.

Marigona Osmani ishte 18-vjeçare kur u vra më 22 gusht të vitit 2021 në banesën e të akuzuarit kryesor, Dardan Krivaqa, në qytetin e Ferizajt. Krivaqa e Sejdiu, e kishin dërguar trupin e pajetë të viktimës në spitalin e qytetit dhe më pas ishin larguar në drejtim të panjohur.

Aktakuza thoshte se Krivaqa më 21 gusht 2021, rreth orës 10:14, në banesën e tij, pa pëlqimin e tani të ndjerës Marigona Osmani, e kishte detyruar atë të kryente marrëdhënie seksuale dhe e kishte abuzuar e maltretuar në forma të ndryshme.

Sipas aktakuzës, një ditë më pas, më 22 gusht 2021, Krivaqa dhe Sejdiu akuzoheshin se kanë privuar nga jeta Marigona Osmanin, në përpjekje për të fshehur veprën penale të dhunimit.

Ata ishin akuzuar për një sërë veprash penale, përfshirë atë të dhunimit, ndihmës në kryerjen e dhunimit, si dhe vrasjes së rëndë në bashkëkryerje.

Krivaqa dhe Sejdiu, megjithatë u liruan nga akuza e dhunimit, përkatësisht ndihmës në kryerjen e dhunimit, pasi sipas Gjykatës nuk ka pasur prova të mjaftueshme për të vërtetuar një gjë të tillë.

Që të dy akuzoheshin, po ashtu, se kishin tentuar të fshehin gjurmët e krimit, duke u munduar t’i fshehin pamjet e kamerave të sigurisë./REL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura