Gjykata e Tiranës vendosi dje caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” për një punonjës policie të dyshuar si tutor të disa prostitutave në plazhin e Golemit.I dyshuari Arjan Hoxha, i arrestuar në kushtet e flagrancës paraditen e 17 korrikut në Golem, do të qëndrojë në qeli deri në përfundim të hetimeve. Specialisti i Hetimit dhe Parandalimit të Krimit në Komisariatin Nr.3 të Tiranës, 37-vjeçari Hoxha, u paraqit dje në Gjykatën e Tiranës për caktimin e masës së sigurisë ndaj tij. Para gjyqtares Elona Gjoka i dyshuari ka mohuar akuzën e ngritur ndaj tij. Sipas tij, ai punonte si taksist dhe nuk kishte lidhje me prostitutat. Argumentet e tij nuk bindën gjyqtaren, e cila në përfundim pranoi kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” ndaj efektivit të policisë, Hoxha.
SEANCA
“Unë punoj si taksist pasditeve. Nuk kam lidhje më ato çfarë thotë Prokuroria”, mësohet të jetë shprehur nga kafazi i sallës së gjyqit i arrestuari Hoxha. Sipas burimeve, ai mohoi kategorikisht të ishte i përfshirë në çështje shfrytëzimi prostitucioni. “Ndërsa për të tjerat, jam dakord me ato që tha avokati im”, e ka përmbyllur fjalën e tij i dyshuari Hoxha. Më herët, akuza është kundërshtuar nga avokati i tij mbrojtës. Sipas avokatit, provat e sjella para gjykatës nga Prokuroria nuk i faktonin dyshimet e ngritura ndaj klientit të tij. Sipas avokatit, vetë çmimi i pretenduar nga Prokuroria si çmim i prostitutave 100-150 euro është shumë i lartë krahasuar me rastet e tjera, kur janë konstatuar veprat penale të këtij lloji. Po sipas burimeve, mësohet se avokati i ka cilësuar si të pabaza edhe provat e Prokurorisë që kishin të bënin me përgjime telefonike apo fotografime ambientale. Sipas mbrojtësit, nga interpretimi i tyre nuk mund të provoheshin dyshimet ndaj të arrestuarit Hoxha. Sipas përfaqësuesit të Prokurorisë në proces, dyshimet se Arjan Hoxha kishte konsumuar veprën penale të “shfrytëzimit të prostitucionit” ishin të provuara. Për këtë shkak, në përfundim prokurori i kërkoi gjykatës caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg”, kërkesë që u pranua nga gjykata.
ARRESTIMI
Policia e Tiranës njoftoi pasditen e së dielës se një efektiv policie ishte vënë në pranga pas dyshimeve se po shfrytëzonte tre vajza për qëllime prostitucioni. “Arrestimi i punonjësit të policisë Arjan Hoxha u krye në vendin e quajtur ‘Mali i Robit’ në Golem të Kavajës, në hyrje të hotel ‘Onufrit’, pasi në rolin e tutorit kishte lënë për të prostituuar në këtë hotel dy femra me inicialet M.T, 16 vjeç dhe XH.H, 23 vjeç nga Tirana, të cilat për kryerjen e një marrëdhënieje seksuale me klientelën e siguruar nga ky punonjës i policisë, përfitonin shumën prej 100 euro. Në momentin e arrestimit, shtetasi Arjan Hoxha ka tentuar t`u largohet me shpejtësi shërbimeve të policisë”, u tha zyrtarisht nga policia pas arrestimit.
Hetimi
Grupi hetimor i Prokurorisë dhe SHKB-së që ka mbledhur provat në ngarkim të ish-oficerit të Komisariatit Nr.3 në Tiranë ka dokumentuar plotësisht disa raste të shfrytëzimit të vajzave. Mësohet se janë regjistruar dhe fotografuar episodet në të cilat oficeri i policisë merr porosi të ndryshme nga “klientët”, persona të interesuar për vajzat dhe më pas i dërgonte ato me makinë në hotelin ose banesën e kërkuar. Sipas hetimeve, fitimi ndahej në dy pjesë mes policit dhe vajzës që “kryente punën”.
“Detyrim paraqitjeje” prostitutës 23-vjeçare
TIRANE – Në një seancë të mëvonshme, pas asaj të Arjan Hoxhës, para Gjykatës së Tiranës u paraqit 23-vjeçarja Xh.H., e dyshuar si një nga prostitutat që punonin për policin. Burime pranë Gjykatës bënë të ditur se togat e zeza caktuan masën e sigurisë “detyrim për paraqitje” ndaj 23-vjeçares të akuzuar për veprën penale të “ushtrimit të prostitucionit”. Po sipas burimeve, Xh.H nuk ka shfaqur asnjë pretendim para gjykatës. Ajo është mjaftuar me pretendimet e parashtruara nga mbrojtësi i saj. Sipas Policisë, 23-vjeçarja Xh.H. ishte nën shoqërinë e policit Hoxha në momentin e arrestimit. “Masa e arrestit në flagrancë u morr edhe ndaj shtetases me iniciale XH.H, 23 vjeç, banuese në Tiranë e i divorcuar, si dhe u procedua në gjendje të lire për shtetasen e mitur me inicialet M.T”, tha Policia. E pranishme në gjykatë dje ishte vetëm shtetasja Xh.H. Mësohet se e mitura M.T. do të hetohet pa masë sigurie.
ARMAND BAJRAMI
© Panorama.al











