
TIRANE – Gjykata e kryeqytetit ka vendosur dje masën e sigurisë “arrest me burg pa afat” ndaj Gjergj Cukalit, personazhi i konsideruar si i forti i rrugës “Myslym Shyri”. Prokurorja e gatshme e Tiranës paraqiti dje kërkesën në Gjykatë për caktimin e masës së sigurisë ndaj Cukalit, duke e akuzuar atë për armëmbajtje pa leje. Sipas përfaqësueses së akuzës, tri ditë më parë, Gjergj Cukali, 33 vjeç, është vënë në pranga nga një aksion i shërbimeve të Policisë së Tiranës. Pas kontrollit personal që i është bërë, të riut i është gjetur një armë pistoletë tip “Glock” me 17 fishekë. Menjëherë është bërë arrestimi i Cukalit, i cili siç tha dje prokurorja në seancë, ka qenë person i shpallur në kërkim për kanosje ndaj një efektivi të Policisë private. Përfaqësuesja e akuzës me këto argumente, si dhe me faktin se Cukali ka pasur precedentë penalë edhe më parë, kërkoi ndaj tij masën e sigurisë arrest me burg. Gjyqtari i gatshëm i cili vlerësoi masën e sigurisë me dyer të mbyllura, pranoi kërkesën e prokurorisë dhe vendosi të mbajë në qeli Gjergj Cukalin deri në fund të hetimit. Vetë i arrestuari me përjashtim të konfirmimit të gjeneraliteteve kur u pyet nga gjykata, nuk mbajti qëndrim tjetër. Seanca për masën ndaj Cukalit filloi dje në orën 10:30. Gjyqtari i gatshëm kishte urdhëruar që media të mos ishte e pranishme në sallë. Për këtë arsye, me dyer të mbyllura, u vendos masa e sigurisë dhe më pas policia e burgjeve bëri shoqërimin e Gjergj Cukalit në qeli. Ai rikthehet në burg përsëri, ndërsa vetëm pak kohë më parë ishte lënë i lirë pasi mbaroi dënimin e dhënë me akuzën e rrëmbimit dhe mbajtjes peng të Fatjon Demirlikës. Ngjarja ndodhi në korrik të vitit 2004 në rrugën “Myslym Syri”. Gjergj Cukali, së bashku me disa persona të tjerë, shokë të tij, organizoi pengmarrjen e Fatjon Demirlikës. Autorët e ngjarjes u arrestuan nga Forcat Speciale të Policisë, ndërsa shkak i ngjarjes kishte qenë një shumë prej 100 mijë eurosh, që Demirlika i detyrohej Gjergj Cukalit dhe të tjerëve. Në fund të procesit për pengmarrjen, Gjergj Cukali u dënua me dhjetë vjet burg. Pas vuajtjes së këtij dënimi, ai u la i lirë, por në maj të këtij viti pati një konflikt me një polic privat pranë një biznesi. Shkak i sherrit ka qenë tentativa e Gjergj Cukalit për parkimin e makinës, ndërsa polici privat ka kundërshtuar. Gjergj Cukali e qëlloi me tytë arme policin privat që u dërgua në spital, ndërsa i dënuari i mëparshëm u largua nga vendngjarja, por më pas u shpall në kërkim.











