Gjykata: Burg 3 vrasësve të familjes Barçi

Aug 19, 2011 | 11:22
Fshati Frankth në Burrel, ku ndodhi vrasja e trefishte

MAT – Gjykata e Burrelit dha dje masën e sigurisë burg pa afat për të dyshuarit e vrasjes së 3 personave, anëtarë të së njëjtës familje. Tre vëllezërit Dashamir, Valter dhe Durim Barçi do të qëndrojnë në burg, ndërsa hetimet për vrasjen e të afërmve do të vijojnë nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Mat. Tre të pandehurit akuzohen për vrasje me dashje të tre kushërinjve të tyre, përkatësisht dy bashkëshortëve dhe djalin të tyre 24-vjeçar. Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e së dielës në fshatin Frankth në komunën Komsi të rrethit të Matit, ku mbetën të vdekur Shaqir Barçi 58 vjeç, gruaja e tij Hamide Barçi, 56 vjeç dhe djali i tyre Ylber Barçi, 31 vjeç. Në këtë sulm të armatosur u plagosën edhe dy djemtë e tjerë të familjes. Burime pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Mat thanë se vëllezërit Barçi e kanë pranuar autorësinë e vrasjes, por më parë kanë deklaruar se ata janë sulmuar fillimisht nga viktima dhe, në kushtet e vetëmbrojtjes, kanë qëlluar edhe ata mbi pjesëtarët e familjes fqinje. Burime pranë Gjykatës Mat thanë se policia kishte marrë masa të forta për të dërguar autorët në bankën e të akuzurave, ndërkohë asnjë pjesëtar i familjes së viktimave nuk ka qenë i pranishëm.

© Panorama.al

Te lidhura