Gjuha e simbolet shqiptare,debati vijon të hënën

Jul 16, 2011 | 10:50

SHKUP- Debati parlamentar për ndryshimet e Propozim-Ligjit për përdorimin e simboleve kombëtare të bashkësive etnike, mes tyre shqiptare,  do të vazhdojë të hënën.

Për shkak të mungesës së kuorumit, kryetari i Parlamentit mbrëmë ka ndërprerë seancën për të paralajmëruar vazhdimin e saj gjatë javës së ardhshme.

Ndryshimet e Ligjit për simbolet parasheh që në komunat me mbi 50 për qind të popullsisë shqiptare të mund të theksohet flamuri i tyre kombëtar së bashku me flamurin shtetëror në objektet zyrtare lokale. Pushteti komunal duhet të vendos se kur duhet të përdoren simbolet kombëtare dhe shtetërore. Sipas ndryshimeve, parashikohet që flamujt e bashkësive të jenë me format më të vogël nga ato shtetërore.

Këto ndryshime janë pjesë të marrëveshjes së fundit të partnerëve të koalicionit VMRO-DPMNE, ndërsa ato janë paraparë edhe me Marrëveshjen e Ohrit, por tre vite më parë ato ndryshime për përdorimin e simboleve u hoqën si të paligjshme nga Gjykata Kushtetuese.

Gjuha dhe simbolet shqiptare, debat në Shkup

Deputetët e partive të pozitës dhe opozitës kanë shkëmbyer debate të ashpra lidhur me propozim-ligjet për përdorimin e gjuhës dhe simboleve kombëtare të shqiptarëve.

Deputetët e partive opozitare, në njërën anë të LSDM-së maqedonase dhe në anën tjetër deputetë shqiptarë të opozitës të PDSH-së dhe RDK-së kanë drejtuar akuza ndaj marrëveshjes së koalicionit VMRO-DPMNE dhe BDI për ndryshimet e dy ligjeve.

Deputeti i PDSH-së, Zijadin Sela theksoi se BDI është e nënçmuar nga VMRO-DPMNE me këtë marrëveshje dhe se sipas tij, me këtë marrëveshje nuk përfitojnë asgjë shqiptarët në Maqedoni.

“Ne si PDSH jemi për përparimin e gjuhës shqipe, por nga ana tjetër jemi kundër që përmes një propozimi të tillë ti hidhet pluhur në sy popullit shqiptar. Ashtu edhe në vitin 2008 u miratua Ligji për gjuhën shqipe, dhe nuk ndodhi asgjë me përparimin dhe përdorimin e gjuhës shqipe. Ne jemi të bindur se populli shqiptar dhe elektorati ynë nuk i pranon këto ndryshime”, theksoi deputeti Zijadin Sela.

Deputët e PDSH-së gjithashtu akuzuan edhe deputetët e LSDM-së opozitare lidhur me qëndrimet e tyre kontradiktore ndaj avancimit të çështjes shqiptare.

Deputetët e LSDM-së kanë akuzuar se me këtë marrëveshje të arritur midis VMRO-DPMNE dhe BDI është bërë shkelje e interesave nacionale të shtetit dhe maqedonasve si dhe shkelje të Kushtetutës.

Deputeti dhe nënkryetari i LSDM-së, Gordan Georgiev theksoi se kjo marrëveshje është fryt i një marrëveshje politike dhe e cila është edhe kundër Marrëveshjes së Ohrit, pasi që ajo po ndryshohet pa përfillur partitë e tjera që janë nënshkruese dhe pa përfillur opinionin publik dhe ekspertët.

Sipas tij, miratimi me procedurë të përshpejtuar i këtyre ndryshimeve, sipas deputetëve të LSDM-së, dëmton dialogun politik dhe demokracinë, pasi që gjithë kjo po ndodhë larg syve të opinionit.

“Ne po shohim këtë pazar politik, por dua të kërkojmë sqarime rreth deklaratës së fundit të liderit të BDI-së, Ali Ahmeti se këto ndryshime janë vetëm fillim, atëherë duam të pyesin se cili është fundi”, ka theksuar Georgiev.

Deputetja e BDI-së, Ermira Mehmeti theksoi se Marrëveshja e Ohrit nuk është dokument i vulosur që nuk mund të ndryshohet. Ajo theksoi se nuk sheh se me këto ndryshime ku është shkelur Kushtetuta. Ajo porositi partitë opozitare maqedonase se për çfarë frikësohen në rast se përfaqësuesit e zgjedhur të kenë mundësi të flasin në gjuhën shqipe.

Nënkryetarja e Parlamentit dhe deputetja Suzana Salihu deklaroi se nuk kupton se përse do të rrënoheshin interesat nacionale, në rast se përfaqësuesit e zgjedhur shqiptarë do të flasin në gjuhën e tyre amtare. “Ne nuk shohim se me këto ndryshime ku shkilet Kushtetuta dhe ku rrezikohen interesat nacionale. Ne vlerësojmë se si interesa nacionale duhet ti shohim interesat tona strategjike siç janë integrimet euroatlantike dhe çështjet e tjera më të rëndësishme”, theksoi Salihu.

Deputeti i VMRO-DPMNE, Ilija Dimovski apeloi që deputetët e LSDM-së të tregojnë se ku është shkelur Kushtetuta dhe ndryshimi i Marrëveshjes së Ohrit me këto ndryshime.

“Gjithçka tjetër është politikë. Hiqni Marrëveshjen e Ohrit dhe na thuani se ku kemi reviduar këtë marrëveshje. Mos bëni këtë për qëllimet e juaja politike dhe këtu duhet të bëhet debat serioz”, theksoi Dimovski.

Deputetët e VMRO-DPMNE kanë drejtuar akuza ndaj LSDM për ndarjen territoriale, humbjen e Strugës, miratimin e Ligjit për simbolet, miratimin e ligjeve të tjera që kanë dëmtuar interesat e shqiptarëve menjëherë pas konfliktit të vitit 2001. VMRO-DPMNE ka theksuar se LSDM gjithnjë ka shkelur të drejtat dhe interesat e popullit maqedonas.

LSDM ka bërë të ditur se këto ndryshime a janë të fundit sa i përket ndryshimit të çështjeve që janë pjesë e marrëveshjeve për formimin e Qeverisë midis VMRO-DPMNE dhe BDI-së. (INA)

 

© Panorama.al

Te lidhura