Gjuetia për Gedafin zhvendoset në Sirte, bashkohet edhe NATO

Aug 27, 2011 | 11:28

Epiqendra e luftimeve për kapjen e Muamar Gedafit është spostuar në qytetin e tij të lindjes, në Sirte.Besimi i rebelëve se Gedafi dhe fëmijët e tij do të gjendeshin në kompleksin e pallateve të rrethuar një ditë më parë, u shua. Pas kontrolleve në shtëpinë e tij, ku u zbulua luksi “sekret” me të cilin jetonte familja e kolonelit, vëmendja tani u kthye në Sirte, ku fiset e kësaj zone janë mbështetës të fortë të Gedafit dhe janë zotuar të luftojnë deri në fund për të. Burime pranë Presidentit francez, Nikolas Sarkozi, kanë konfirmuar se Gedafi ndodhet në Sirte, tashmë pika e fundit e fortë e regjimit. Sulmet e NATO-s po vazhdojnë në këtë zonë. Tornadot britanikë po bombardojnë me raketa të precizonit të lartë një bunker pikërisht në Sirte. Sekretari britanik i Mbrojtjes tha se “një formacion me ‘Tornado GR4’ ka hedhur raketa ‘Storm Shadow’ kundër një bunkeri në shtabin qendror”. Ministri i Jashtëm italian, Franko Fratini, ka konfirmuar informacionet e dhëna nga Presidenca franceze, se “dyshimet se Gedafi mund të jetë në Sirte janë shumë të mëdha. Rreth 5 për qind e territorit të Libisë nuk kontrollohet nga qeveria e re dhe Sirte bën pjesë këtu”. Kryengritësit po avancojnë dhe ushtarë italianë e britanikë po ndihmojnë përgatitjen e rebelëve libianë për sulmin. Sipas britanikes “Telegraph”, ka dëshmitarë që tregojnë se bashkë me Gedafin është edhe Abdelbaset Ali al-Megrahi, i njohur si atentatori i Lokërbisë (bombë në avionin Pam-al ku humbën jetën 270 persona në Skoci, në vitin 1988). Të premten tritoli u zgjua i qetë. Ka pasur një periudhë që besnikët e Gedafit kanë bombarduar Aeroportin, duke dëmtuar rëndë një avion. Më pas ka nisur shkëmbimi i zjarrit me rebelët. Një ditë më parë rebelët arritën të marrin edhe lagjen “Abu Salim”, ku mendohej se ishte Gedafi. Disa dokumente të siguruara nga britanikja “Guardian” kanë treguar edhe gjatë këtyre ditëve të fundit se qeveria e Gedafit ka bërë lobim të madh në SHBA me letra të vazhdueshme dërguar Presidentit Barak Obama, për të frenuar bombardimet e NATO-s. Ndërkohë, Këshilli i Sigurimit të OKB-së ka pranuar të zhbllokojë 1,5 miliardë dollarë nga fondet e bllokuara libiane, për të garantuar ndihma emergjente dhe për të mbështetur rindërtimin.

© Panorama.al

Te lidhura