Ilir Gjoni në tryezën e PS: Po thellohet ndarja Veri-Jug

Feb 11, 2012 | 11:35

Ilir Gjoni

Kreu i grupit për rendin e sigurinë në PS: Po punohet për ngritjen e mureve ndarëse mes tri besimeve fetare.

“Po dëmtohen interesat kombëtare nën influencën e agjenturave të huaja”

“Vendi ynë sot përballet me sfida të mëdha të sigurisë, që shkojnë deri në kërcënim real të integritetit territorial”. Kështu u shpreh dje kreu i grupit të punës së programit të PS për çështje të rendit dhe sigurinë, Ilir Gjoni, në tryezën e organizuar dje me ekspertë të sigurisë dhe rendit. Ish-ministri i Rendit dhe i Mbrojtjes gjatë qeverisjes 8-vjeçare të PS-së, Gjoni, tha: “Ndonëse në pamje të jashtme vendit duket se nuk i kanoset ndonjë rrezik, edhe për faktin se tanimë jemi pjesë e strukturës më të fuqishme të sigurisë në botë që është NATO, prapë se prapë rreziqet që e kanosin sigurinë e vendit tonë janë po aq eminente dhe serioze sa dhe në vitet e para të demokracisë”. Sipas tij, Shqipëria po rrezikohet nga përçarja e popullsisë, ku angazhohen disa elementë. “Rreziku më i madh që i kanoset Shqipërisë është përçarja e popullsisë dhe mungesa e kohezionit social; janë thelluar ndarjet Veri-Jug; po punohet për ngritjen e mureve ndarëse mes tri besimeve kryesore fetare (disa prej tyre po tentohet të vihen nën kontrollin e rrymave ekstremiste); ç’është më e keqja, shoqëria e ndarë në përkrahës të partive politike i ka kapërcyer kufijtë dhe caqet e funksionimit demokratik dhe po bëhet gjithnjë e më evidente ndarja ‘armiqësore’ dhe urrejtja mes përkrahësve të njërës apo tjetrës forcë politike”, u shpreh Gjoni. Ai dha alarmin se vendi kërcënohet dhe nga integriteti territorial. “Rreziku tjetër është kërcënimi real ndaj integritetit të kufijve të Shqipërisë (rasti i ligjit të kufijve të vitit 2008, i cili ka lënë formalisht pa kufij shtetërorë Shqipërinë pas 100 vjetësh shtet – gjë të cilën PS e ka denoncuar dhe ka përgatitur për ta paraqitur në Kuvend një amendament që e korrigjon situatën, si dhe hapja e rrugës prej tij e Marrëveshjes së Detit me Greqinë, e cila fatmirësisht u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese). Rreziku i zhdukjes artificiale të vetë kompaktësisë etnike që po tentohet të realizohet përmes politikave klienteliste e në dëm të interesave kombëtare të ndjekura nga elementë politikë me influencë dhe veprimtarisë së pareshtur të agjenturave të huaja”, u shpreh Gjoni.
Mbrojtja
Për kreun e grupit të punës në PS për sigurinë dhe rendin, legjislacioni shqiptar paralizon kompetencat e Presidentit në marrëdhënie me institucionet e sigurisë, Këshillin e Sigurisë, Ministrinë e Mbrojtjes, Forcat e Armatosura, Policinë, shërbimet inteligjente etj. Gjoni tha se legjislacioni aktual nuk i jep fuqi ligjore Presidentit, si komandant të Forcave të Armatosura në kohë lufte, që në kohë paqe të kërkojë dhe detyrojë për rregullim të defekteve apo mangësive që ka mbrojtja. Ndërsa sipas tij, Kryeministri, që ka maxhorancë parlamentare dhe miraton fondet dhe mjetet për të garantuar sigurinë kombëtare, në situata të jashtëzakonshme, ia kalon përgjegjësinë Presidentit, i cili deri në atë kohë nuk ka pasur asnjë mundësi ndërhyrjeje. Po ashtu dhe ministri i Mbrojtjes, i cili në kohë paqeje ka përgjegjësinë kryesore për zhvillimin e Forcave të Armatosura, nuk është fare në zinxhirin e komandimit në kohë lufte. Kjo, sipas përfaqësuesit socialist, kërkon një ndërhyrje në legjislacion, pasi me këto vakume ligjore nuk garantohet aspak siguria kombëtare.

Uniformat
Gjoni tha dje se uniformat e reja të forcave të sigurisë kanë ulur krenarinë e ushtarakut shqiptar. “Nuk mund të ndihet krenar polici shqiptar, i cili pas 90 vitesh është i detyruar të ndërrojë uniformën dhe sot ai mban modelin italian, kur detarit shqiptar, me një të rënë të lapsit i hidhet poshtë uniforma simbol e marinës dhe zëvendësohet me uniformën franceze, nuk mund të kenë dinjitet kur shohin se si qeveritarët shesin kufijtë, apo kur Kryeministri deklaron se do të bëjë shqiptar çdo qytetar të botës që ka 100 mijë euro”, u shpreh Gjoni.

Dobësitë
Për drejtuesin e grupit të programit të PS që merret me çështjet e rendit dhe sigurisë kombëtare, shkaqet që vendi është në këtë nivel pasigurie janë “institucionet e dobëta dhe të kapura, sidomos Drejtësia; rrënimi i sistemit arsimor dhe ikja e trurit; dalja jashtë kontrollit e situatës kriminale dhe në veçanti rreziku i krimit të organizuar, i cili tashmë është kthyer në endemik për shoqërinë; varfëria në përgjithësi dhe papunësia në veçanti, ku një vend me 3 milionë banorë, 1 milion janë të papunë”.

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura