Gjoka: Zhurma për kritikën, më e madhe se realisht

Feb 15, 2012 | 11:58

Studiuesi Behar Gjoka

Autori, përgjigje debatit mbi kritikën letrare me 1 libër

“Nuk mendoj se prurjet e letërsisë shqipe mund të emërtojnë dhjetë çmime letrare”

Kemi apo nuk kemi kritikë letrare, kjo është një temë, që jo rrallë është vënë në qendër të debateve. Për të dhënë një lloj përgjigjeje, studiuesi Behar Gjoka sjell për lexuesin së shpejti librin “Autonomia e kritikës letrare”. Sipas Gjokës, realiteti ofron një tjetër realitet. Ai flet gjithashtu edhe për çmimet e përvitshme letrare, që ende nuk janë ndarë. Sipas ministrit Bumçi, në këtë edicion, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë do të përfshihen në këtë garë letrare dhe autorët nga trevat shqiptare jashtë kufijve. Gjoka e sheh më gjerë, si çështje prurjeje, burokracie, varësie…
Çdo fillimviti shënonte dhe ndarjen e çmimeve letrare nga ana e MTKRS-së, çka nuk ndodhi këtë vit, mendoni se përtej justifikimit të organizatorëve, fshihet diçka tjetër?
Kjo historia e çmimeve mendoj se është si ajo puna e kungulleshkës, apo e lagu s’e lagu, por po të vijmë në një situatë pak më serioze, unë mendoj se nuk ka financa për t’u realizuar kjo gjë. Po të jemi paksa edhe më seriozë, nuk mendoj se prurjet e letërsisë shqipe mund të emërtojnë dhjetë çmime letrare. Prurjet janë ato që janë. Jemi në një moment që letërsia e çmimeve na ka krijuar shumë gjeni, shumë figura, por pak tekst. Unë nuk di se sa lexuesit i mbajnë mend ata që kanë marrë çmime. Pra, në një kuptim, dhënia apo mosdhënia e çmimeve letrare të përfshira në ministri, në një farë mënyre e ka komprometuar atë. Së pari, Ministria ka marrë përsipër të bëjë një gjykim që nuk ka aftësinë ta bëjë. E dyta, këtë Ministria e ka bërë me përfaqësues krejtësisht të zyrtarshëm. Do të duhet që verifikimi letrar të jetë i shkëputur nga ai zyrtar, madje e them me shqetësim, as në kohën e diktaturës, nuk ka qenë kjo varësi kaq e madhe. Pra, u dhanë apo nuk u dhanë çmimet nuk ka pikë rëndësie në raport me letërsinë.
Sipas ministrit, kësaj here në garë do të përfshihet letërsia mbarëshqiptare, mos kjo duhej bërë më parë.
Çmimet nuk u dhanë për arsye burokratike, sepse nuk u gjet koha e nevojshme. Me sa duket, ata duan ta zgjerojnë, por edhe vetë zgjerimi përbën një problem. Përse kjo nuk ndodhi në momentin e duhur? Përse po e hap tani dhe përse e ke mbajtur të mbyllur deri më tani? Tashmë jemi në një moment shqetësues komunikimi. Kanë rënë ato muret me beton dhe janë ngritur ca mure xhami, shihemi por nuk komunikojmë. Letërsia shqipe e të gjitha hapësirave është e paragjykuar nga çmimet. Letërsia nëse është shqipe, nuk ka nevojë për parakushte, të tipit që duhet patjetër të jetë në Bibliotekën e Tiranës apo të Kosovës. Ky është një absurd shqiptarësh, për të mos u marrë vesh.
Përse flitet kaq shumë për këto çmime, mos vallë ato janë e vetmja mënyrë për t’u evidentuar në mungesë të kritikës letrare?
Çmimi është bërë si dekoratat “Hero i punës”, apo “Hero i Popullit”. Në letërsi dhënia e këtyre dekoratave për mua ka një vlerë fare të përciptë në raport me estetikën. Në mungesë të një shtëpie shkrimtarësh, në mungesë të botimeve të mirëfillta letrare(ka qenë dikur revista “Nëntori”, gazeta “Drita”, që brezi im i mbante si dritare të mendimit të lirë, të mendimit letrar), të politikave arsimore dhe kulturore, pra të gjithë faktorët kanë punuar që të mos ketë kritikë letrare. Dhe janë pikërisht ata që e kanë përzënë, që tani lëshojnë alarmin: ku është ajo mungestarja e madhe?! Sipas mendimit tim është për të shprehur mirënjohjen ndaj gazetarëve të kulturës, të cilët kanë bërë një punë të jashtëzakonshme për të kompensuar këtë mungesë. Kritika nuk është maja e shtizës për të goditur shkrimtarët apo për të orientuar letërsinë. Kritika letrare është përcjellëse e vlerave aktuale dhe gazetarët me shumë përpjekje këtë kanë bërë, duke mbajtur ndezur kandilin e kritikës qoftë dhe me anë të recensioneve apo vitrinave të librit. A do të duhet të kishte një revistë letrare? Përse jo? Revista do të ishte ajo bankëprovë ku ne do të shihnim edhe mungesën, edhe vlerën. Por, pas shumë vitesh, ne kthjellohemi dhe i kërkojmë ministrit të jetë kritik letrar apo zëvendësministrit të bëhet studiues letrar. Kjo është absurde. Jo. Ne duhet të ecim ashtu si e gjithë bota në pranimin e mendimit ndryshe, në lejimin e alternativave dhe tek përvoja bashkëkohore, që thotë se letërsia është aty ku gjendet dhe aty ku fshihet.
Për këtë “mungestarinë e madhe”, ju keni çuar në botim një libër, apo jo?
E kam quajtur “Autonomia e kritikës letrare”. Më ka ngacmuar gjithnjë ajo zhurma që nuk ka kritikë fare, që ajo nuk po luan rolin e vet, por alarmi dhe zhurma është më e madhe se realiteti. Në fakt, kritika vjen pas letërsisë. Rrekem të them autonomi, sepse kritika e para viteve ’90 ishte kritikë-heshtë ndaj letërsisë, ishte një kritikë ideologjike. Kritika e tanishme është frenuar me një urdhër të pashprehur. Unë nuk po bëj asgjë tjetër, veçse po lexoj ato tekste të letërsisë bashkëkohore dhe jam përpjekur të jap një mendim që ka letërsi, madje tek ca emra që nuk i njohim fare, që nuk ka lidhje me çmimet, por edhe tek çmimet, për të mos krijuar asnjë lloj keqkuptimi.
Na lini të kuptojmë se kritika nuk është tërësisht munguese në Shqipëri?
Sipas meje ekziston mendimi kritik, vetëm se ne nuk duam ta shohim dhe është në të keqe të letërsisë dhe të atyre që pretendojnë t’i marrin të gjitha titujt herë të merituar, por në shumë raste të pamerituar. Sepse kështu ndodh, veçse emërimi i radhës i poetëve, prozatorëve, përkthyesve, studiuesve, sipas shijes zyrtare të një klani të caktuar, që në fund të fundit ka në dorë pushtetin, por jo shijen letrare. Shija letrare gjezdis diku tjetër edhe kur i mbyllen të gjitha portat e komunikimit. Më kujtohet rasti i Shekspirit, kur bashkëkohësit nuk e pranonin as si aktor, as si regjisor, lëre më si autor. U desh të zbulohej pas dy shekujsh dhe ne të mrekullohemi sot me të. Pra, me këtë punën e çmimeve, letërsia gjendet në risqe të jashtëzakonshme, sepse mundohemi ta lidhim atë me moralen apo amoralen, me të qenët në burg ose jo dhe dëshpërohem teksa e shoh. Letërsia e realizimit socialist tani është zëvendësuar në një farë kuptimi nga letërsia e realizmit demokratik, pra jemi në shtigje jo normale të ligjërimit letrar, si një alternativë e pakufishme, një alternativë personale, që na identifikon në këtë hapësirë që quhet Europë.
Ç’rol duhet të luajë shkolla në formësimin e kritikës letrare?
Para ’90-s ka pasur një praktikë, e cila ka funksionuar e ndarë në vite. Një herë në 10 vjet përgjatë një viti zhvillohej një kurs specializimi për kritikën letrare. Sigurisht kishte një ngarkesë ideologjike, por ama mundësonte që kushdo që kishte një lloj prirjeje, të vazhdonte në këtë rrugë. Mund të përmend emra si Rudolf Marku, Skënder Buçpapaj etj. Ishte një lloj gërshetimi mes letrarit me njeriun që ka interes kërkimin kritik. Pas vitit ’87, unë nuk di qoftë edhe një rast të një kursi brenda fakultetit apo të hapjes së një viti të caktuar për kritikën letrare. Nuk mendoj se shkollat tona kanë mbetur në nivelin e përgatitjes së ca mësuesve për shkollën tetëvjeçare apo të mesme. Këtë çështje duhet ta rregullojnë vetëm shkollat përmes kurrikulave. Nëse do ta bëjë shkolla apo jo, kjo është një çështje tjetër. Realiteti është, që pavarësisht këtyre mungesave, kritika letrare ekziston dhe më përtej institucioneve të zyrtarshme.

ALMA MILE

© Panorama.al

Te lidhura