Gjobëvënësi italian pastroi 500 mijë euro në Shqipëri

Jul 10, 2012 | 15:04
Gjykata e Krimeve të Rënda

Dy shtetas italianë akuzohen nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në Tiranë se kanë pastruar rreth 500 mijë euro në Shqipëri nëpërmjet veprimeve bankare për maskimin e burimit të këtyre të ardhurave. Dy personat e akuzuar janë shtetasit Pietro Grandoni, lindur me 19.12.1954 Fossombrone (Pesaro) dhe Alessandro Locatelli, lindur me 23.03.1947, në Capriolo/Brescia të Italisë. Të dy këta persona, sipas Prokurorisë, akuzohen se kanë kryer veprën penale të “pastrimit të produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, në bashkëpunim. Gjithçka ka nisur në datat 4 dhe 5 mars 2010, kur shtetasi italian Alessandro Locatelli ka kryer dy transferta drejt Shqipërisë nga Sllovenia, në total shumën prej 500.000 eurosh, shumë e cila është sekuestruar nga Prokuroria pas regjistrimit të çështjes penale. Në bankën sllovene, nga e cila ka nisur paratë, shtetasi italian ka deklaruar se kjo shumë parash vinte nga “shitja e një zinxhiri dyqanesh ushqimore në Gjermani”. Paratë janë dërguar ndërkohë në llogarinë e një shoqërie biznesi në Tiranë, pronë e shtetasve italianë Gianpiero (Giampiero) Casaveçhia, Roberto dhe Renato Casaveçhia. Pak ditë më vonë, në datën 12 mars 2010, shoqëria me seli në Tiranë, e cila kishte marrë shumën, ka dashur të transferojë shumën 490.000 euro në drejtim të shoqërisë “AGAR” SRL me përshkrim “kthim fondi për moskryerje investimi”. Shoqëria “AGAR” SRL është një shoqëri italiane, e cila nuk është e regjistruar në Shqipëri. Pasi është bërë kjo transfertë, pra paratë kanë kaluar në emër të “AGAR” SRL, nga llogaria e saj janë bërë tri tërheqje kesh nga i akuzuari Pietro Grandoni, shtetas italian. Pas tri tërheqjeve të bëra prej tij, ky shtetas ka dashur që shumën prej 427.000 eurosh të ngelura në llogari, ta transferojë në Itali, në llogarinë e shoqërisë së tij atje, apo në llogarinë e një shoqërie tjetër italiane atje, “IF” SRL. Por këtu ka ngecur gjithçka, pasi banka nuk ka pranuar të bëjë transfertën me argumentin se burimi i parave nuk ishte i qartë dhe lëvizjet e shumave në fjalë nuk ishin të justifikuara. Nisur nga ky fakt, janë bërë hetime nga Prokuroria nga ky ka rezultuar se në dokumentacionin e paraqitur nga Pietro Grandoni në bankë nuk përmendet qoftë edhe një herë fakti se shuma prej 500.000 eurosh është transferuar nga Sllovenia nga Alessandro Locatelli, i cili ka deklaruar në bankën nisëse se burimi i të ardhurave është “shitja e një zinxhiri dyqanesh ushqimi në Gjermani”. Nga hetimi është gjetur se dokumentacioni i paraqitur nuk është hartuar pranë një noteri, por janë vetëm deklarata midis palëve, fakti që llogaria bankare e “AGAR” SRL pranë bankës “Veneto” është hapur në datën 12.3.2010 kur është transferuar shuma dhe dokumentacioni i zgjidhjes së marrëveshjes midis palëve për të justifikuar transferimin e shumës mban po këtë datë, si dhe duke parë justifikime të ndryshme të shumës së sekuestruar, rezulton se ky dokumentacion është fiktiv.
Pas kësaj, Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana dhe autoritetet italiane kanë konfirmuar se personat e përfshirë në këto transaksione rezultojnë persona me veprimtari kriminale. Shtetasi Alessandro Locatelli, sipas përgjigjes së ardhur, njihet nga autoritetet italiane si i denoncuar në vitin 1985 për gjobvënie, në vitin 1994 për thyerje të procedurave të falimentimit, marrje kredish abuzive, të procedurave të pagesës së taksave mbi të ardhurat personale, mashtrim, në vitin 1996 për mashtrim, në vitin 1998 për përvetësim të pronës më anë të mashtrimit. Ai është dënuar nga Gjykata e Triestes më 1.3.2001, lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit e Venecias më datë 5.3.2004, sepse në rolin e administratorit dhe/apo bashkëadministratorit të shoqërisë “Infitex” Srl, përvetësonte, tjetërsonte dhe zhdukte prona të shoqërisë. Po kështu, i akuzuari Alessandro Locatelli është dënuar për një serë krimesh në fushën financiare, të parashikuara nga neni 216 i ligjit mbi falimentimin në Candiana (Padova Itali), pasi për vite me radhë ka mashtruar e më pas përfituar në mënyrë të paligjshme dhe tjetërsuar pasuri të personave të tretë, duke shkaktuar dëme të mëdha ekonomike për shoqëritë e përfshira në shifra që shkojnë deri në 1.045 miliardë lireta. Pietro Grandoni njihet nga autoritetet ligjzbatuese italiane si person me aktivitet kriminal, në datën 25.1.1996 për falsifikime të ndryshme, në datën 23.1.2004 për vjedhje të një furgoni, në datën 21.5.2007 për kërcënim, në 6.6.2009 për mashtrim si përfaqësues ligjor i shoqërisë “Valera Jeans” Srl. Italia (në Marotta di Fano, Itali), pasi me anë të mashtrimeve ka mundur të mos paguajë detyrimet që kishte ndaj shoqërisë “Stireria Giusti” Srl dhe në datën 8.9.2009 për tentativë mashtrimi. Sipas hetimeve, në vitet 2007-2008, Pietro Grandoni ka grumbulluar një shumë prej 266.106 eurosh dhe 257.694 eurosh nga një vetëpunësim i padeklaruar te një kompani me qendër në Rumani, e cila e ka mbyllur aktivitetin më 17.11.2008. Në përgjigje të letër-porosisë, autoritetet gjermane kanë informuar se për asnjë nga shtetasit e përmendur më sipër dhe në veçanti për të pandehurin Alessandro Locatelli nuk ka informacion në Gjermani. Nga përgjigja e autoriteteve gjyqësore gjermane rezulton se burimi i të ardhurave të transferuara nuk konfirmohet të jetë ai i deklaruar nga i pandehuri Alessandro Locatelli, “nga shitja e një zinxhiri dyqanesh në Gjermani”. Sipas hetimeve, nga transaksionet është mësuar se destinacioni i vërtetë i fondeve të transferuara nga Alessandro Locatelli nga Sllovenia ka qenë Pietro Grandoni dhe shoqëria “Agar” SRL dhe për të humbur gjurmët e transfertës është përdorur shoqëria “F.LLI Casaveçhia”, me qëllim për të evituar zbulimin e burimit të vërtetë të fondeve, si dhe destinacionin të tyre. Sipas Prokurorisë, veprimet e të pandehurve përbëjnë elementë të veprës penale të “pastrimit të produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287, parag.2, germa b) i K.Penal, të kryer nëpërmjet fshehjes ose mbulimit të burimit të vërtetë e origjinës së paligjshme të shumës së sekuestruar, me anë të skemës së transfertave të kryera, duke cenuar marrëdhëniet juridike që mbrojnë ekonominë dhe interesat shtetërore nga kjo vepër penale.

© Panorama.al

Te lidhura