TIRANE – Kërcënohet me mesazhe në celular për të paguar 100 mijë euro djali i ish-deputetit të Partisë Socialiste, Shyqyri Duraku. Policia e Tiranës arriti të identifikojë dhe arrestojë autorin e dyshuar të gjobëvënies, shtetasin Kreshnik Ymerin, 28 vjeç nga Kukësi dhe banues në Tiranë. Sipas njoftimit të Policisë, i dëmtuari është Edmir Duraku, 26-vjeç, djali i ish-deputetit të PS-së, i cili më 13 gusht, vetëm 10 ditë më parë, mori një tjetër kërcënim serioz, kur persona të panjohur i hodhën në erë me eksploziv makinën luksoze, në qytetin e Sarandës. Kërcënimin e radhës Edmir Duraku e ka denoncuar në Policinë e Tiranës disa ditë më parë, ku ka treguar mesazhet, të cilat dërgoheshin nga i njëjti numër, ku i kërkoheshin 100 mijë euro në këmbim të jetës. Ai ka treguar në Polici se të tilla mesazhe kërcënuese i vinin që prej muajit korrik, ndërsa kohët e fundit i kishin vendosur dhe gjobë. Menjëherë pas denoncimit, oficerët e Seksionit Kundër Vjedhjeve me Dhunë dhe Armë, nisën hetimet me vënien në përdorim të metodave speciale, derisa u arrit identifikimi i autorit. Burimet thanë se 28-vjeçari i arrestuar, Kreshnik Ymeri, ish-emigrant prej shumë kohësh, kishte njohje të hershme me Edmir Durakun, për shkak se të dy ishin me origjinë nga Kukësi. Gjatë marrjes në pyetje, i dyshuari është shprehur se nuk flitet për gjobëvënie, ashtu siç pretendon i dëmtuari, por për një shumë parash që Duraku i kishte borxh prej shumë kohësh dhe nuk ia kthente. Nga ana tjetër, 26-vjeçari Edmir Duraku ka mohuar t’i ketë pasur ndonjëherë para borxh autorit, pasi sipas tij për të nuk ka qenë e nevojshme asnjëherë që të marrë para hua. Kjo, pasi sipas tij gjithmonë ka qenë në gjendje të mirë ekonomike dhe ndoshta kjo ka qenë arsyeja e gjobëvënies, pasi i dyshuari thjesht ka dashur të përfitojë para prej tij nëpërmjet kërcënimeve. Më 13 gusht të këtij viti, në qytetin e Sarandës u shkatërrua me eksploziv makina e Edmir Durakut. Sipas Policisë, nuk përjashtohet mundësia që i arrestuari mund të ketë lidhje edhe me këtë rast. Ngjarja e 10 ditëve më parë ndodhi rreth orës 05:30, në Lagjen Nr.1, që ndodhet mbi rrugën Turizëm – Kanali i Çukës, në Sarandë. Automjeti tip “Mercedes-Benz” CLS 350, me targë TR 0202 M është shkatërruar plotësisht nga një sasi eksplozivi, i dyshuar si tritol, që ishte vendosur poshtë mjetit. Makina ishte në pronësi të Edmir Durakut, djalit të biznesmenit Shyqyri Duraku. Ai njihet si pronar i një prej vilave që mban mbiemrin e tij, godinë e orientuar në hoteleri në qytetin e Sarandës. Megjithatë, pas kësaj ngjarjeje, i dëmtuari deklaroi në Polici se nuk kishte dijeni për autorësinë, pasi nuk kishte probleme.











